Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën të deklarojë fajtore ish-drejtoreshën e Tirana Parking, si dhe të katër punonjës të tjerë të këtij institucioni, me akuzën se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme kompaninë 5D, që zotërohej nga ish drejtorët e arrestuar të Bashkisë, Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Ish-drejtorja e përgjithshme e institucionit Tirana Parking, Eglantina Zere dhe katër zyrtarët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati u morën nën përgjegjësi penale për akuzën “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarin e Njësisë së Prokurimit, Kristo Zhulati, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar më 1 tetor të vitit 2019.
Prokuroria vërejti në gjykatë se provat e mbledhura gjatë hetimeve provojnë plotësisht faktin se verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi nuk e kanë bërë anëtarët e KVO-së, por e kanë bërë persona të tjerë që kanë punuar në shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k.
SPAK kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin e Zeres me 1 vit burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 muaj heqje lirie.Për katër të pandehurit e tjerë u kërkua masa e dënimit me 9 muaj burg, që me uljen e 1/3-ës së masës mbetet 6 muaj. Po ashtu, u kërkua pezullimi i masës së dënimit dhe vendosja në shërbim prove. Të pandehurit kërkuan pafajësi.
Gjykata vendosi të martën të njëjtën masë dënimi sa kërkoi dhe prokuroria,ku nga aplikimi gjykimit të shkurtuar, e pandehura Eglantina Zere u dënua përfundimisht me 8 muaj burgim, ndërsa katër të tjerët me nga 6 muaj. Ndërkohë, nuk u pranua kërkesa për pezullimin e dënimit.