22 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Air Albania me probleme financiare, nuk paguan 5 mln euro ushqim pasagjerësh

Gjykata e Apelit detyron shoqërinë “Air Albania” që të shlyejë rreth 5 milionë euro fatura të prapambetura ndaj një kompanie që e furnizon me ushqimin për pasagjerët në bord.

Ky vendim gjyqësor, megjithëse është marrë në 13 Maj 2025, ende nuk është reflektuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Shoqëria e fluturimeve “Air Albania”, e cila njihet më së shumti për faktin që i ka dhënë një avion-taksi kryeministrit Edi Rama, refuzon të paguajë faturat e lëshuara nga një biznes në Lushnjë, me pretendimin se është mbifaturuar dhe se pagesat do ta çonin në vështirësi serioze financiare.

“Air Albania” ka nënshkruar në vitin 2019 kontratë me një kompani lushnjare për furnizimin e ushqimit katering, që përdoret për pasagjerët në bordin e avionit. Gjatë periudhës 2022-2024, kompania furnizuese ka lëshuar më së paku 10 fatura për llogari të “Air Albania”, në një shumë totale që kalon vlerën e 500 milionë lekëve të reja.

Shoqëria “Air Albania” nuk i ka paguar këto fatura, megjithëse rezulton se i ka pranuar si të rregullta në sistemin e vetë të pagesave.

Në Dhjetor të vitit 2024, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e kompanisë së ushqimit dhe ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit për ato fatura. Kjo do të thotë se “Air Albania” ishte e detyruar me vendim gjyqësor që të kryente pagesat e pashlyerja.

Pas këtij vendimi, kompania e fluturimeve kërkon në Gjykatën e Tiranës pezullimin e pagesave. Në argumentet e saj, “Air Albania” pretendon se kompania që e ka furnizuar me ushqime katering e ka mbifaturuar me një vlerë rreth 1.8 milionë euro.

Shoqëria e fluturimeve deklaron se i ka pranuar faturat e furnitorit me ushqime, por këtë e ka bërë në mirëbesim. Pas një verifikimi të brendshëm, “Air Albania” deklaron se ka zbuluar mbifaturim dhe për këtë arsye nuk ka paguar faturat në vlerë rreth 5 milionë euro, deri sa të zgjidhet përfundimisht kjo çështje.

Gjykata e Tiranës pranon kërkesën e “Air Albania” për pezullimin e pagesave. Ky vendim u shfuqizua më vonë nga Gjykata e Apelit, me vendimin e formës së prerë të datës në 13 maj 2025. Në këtë vendim, “Air Albania” urdhërohet që të kryejë pagesat për detyrimet.

Ndërkohë që “Air Albania” i është drejtuar Gjykatës së Lartë, të gjitha këto zhvillime nuk rezultojnë të reflektuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e cila duket se po mundohet të mbulojë problemet financiare të kompanisë që i ka dhënë taksinë fluturuese kryeministrit Rama.

Në QKB është reflektuar vetëm vendimi i pezullimit të pagesave, marrë nga gjykata në janar 2025, ndërkohë që mungon vendimi fillestar i gjykatës së Tiranës, pra ai ku është vendosur detyrimi i “Air Albania-s” që të paguajë borxhet, si edhe vendimi i Apelit, ku e detyron përfundimisht kompaninë ajrore të shlyejë detyrimet për ushqimin në bordin e avionëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *