Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka ndërmarrë një aksion hetimor ndaj kompanisë koncesionare “Bankers Petroleum Albania”, në kuadër të një dosjeje penale për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Operacioni është zhvilluar në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Fierit, e cila ka autorizuar kontrolle në ambiente të lidhura me aktivitetin e kompanisë. Gjithashtu gjykata ka caktuar masa sigurie dhe për disa prej drejtuesve të saj aktualë dhe të mëparshëm.
Në kuadër të këtij aksioni, janë vënë në pranga:
- Leonidha Çobo, ish-administrator i kompanisë,
- Hongping Xiao, shtetas kinez dhe aktualisht drejtor pranë kompanisë.
Gjithashtu, është ndaluar një tjetër shtetas shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.
Hetimet janë fokusuar në skemat e dyshuara të shmangies të detyrimeve tatimore dhe transaksioneve që dyshohet se synojnë pastrimin e parave.
Sipas burimeve, oficerët e policisë kanë hyrë me forcë në zyrat qëndrore të kompanisë.
Bankers Petroleum është akuzuar në të kaluarën nga Drejtoria e Tatimeve se nuk ka likujduar detyrimet fiskale ndaj shtetit.
Gjithashtu, Bankers akuzohet prej një kohe të gjatë për ndotjen që shkakton në zonë si rezultat i aktivitetit naftënxjerrës, pa respektuar standardet.