19 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Forbes rendit Samir Manen si njeriun e 2356-të më të pasur të botës

Në listën e njerëzve më të pasur të botës, ka hyrë për herë të parë edhe një shqiptar. Revista prestigjoze amerikane Forbes e ka klasifikuar biznesmenin shqiptar Samir Mane si njeriun e 2356-të më të pasur të botës.

Sipas revistës, Mane ka një pasuri neto prej më shumë se 1 miliardë e 400 milionë dollarësh duke e listuar atë si njeriun më të pasur në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Forbes ka bërë dhe një përshkrim të shkurtër të profilit të Samir Manes.

“Samir Mane është themeluesi dhe presidenti i BALFIN Group, një konglomerat investimesh me qendër në Tiranë, Shqipëri. BALFIN zotëron qendra tregtare dhe dyqane elektronike dhe lodrash në Ballkanin Perëndimor, plus një bankë dhe zhvillime të pasurive të paluajtshme luksoze në Shqipëri. Mane u largua nga regjimi komunist i Shqipërisë në 1991 dhe u transferua në Austri si refugjat; në vitin 1993, ai filloi të shesë pajisje shtëpiake në vendin e tij të lindjes. Ai hapi Neptun, një zinxhir dyqanesh elektronike, në Shqipëri në vitin 1998 dhe u kthye në Shqipëri në 2005 për të hapur qendrën e parë tregtare në vend. BALFIN zotëron gjithashtu prona të paluajtshme në SHBA, Kanada dhe Austri si dhe parqe logjistike dhe një universitet privat në Shqipëri,” shkruan revista prestigjoze për biznesmenin shqiptar.

Aktualisht bota ka 3028 miliarderë, të cilë kanë pasuri më të madhe se 1 miliardë dollarë. Edhe këtë vit njeriu më i pasur i botës është renditur sërish Elon Musk me një pasuri neto prej 342 miliardë dollarësh, ndrërsa në vendin e dytë renditet Mark Zuckerberg me 216 miliardë dollarë. 

Lista

Pavarësisht tregjeve të trazuara, një numër rekord prej 3,028 sipërmarrësish, investitorësh dhe trashëgimtarësh hynë në listën e miliarderëve të botës 2025 të Forbes. Nga këta 288 persona ishin njerëz, që hynë për herë të parë në listën e miliarderëve (nga 265 persona që ishte shifra në 2024).

Shtetet e Bashkuara kanë edhe një herë më shumë miliarderë të rinj, me 103 amerikanë të shtuar këtë vit, duke përfshirë dy të ardhurit më të pasur në botë: Marilyn Simons (pasuria neto e vlerësuar: 31 miliardë dollarë), e cila është e veja e pionierit të hedge fondeve Jim Simons si dhe Lyndal Stephens Greth (25 miliardë dollarë), që është vajza e manjatit amerikan të naftës Autry Stephens.

Gjermania kishte vendin e dytë, me 37 miliarder të rinj, duke përfshirë miliarderin e ri më të ri në botë, 19-vjeçarin Johannes von Baumbach (5.4 miliardë dollarë) dhe 14 trashëgimtarë të tjerë të pasurisë farmaceutike Boehringer Ingelheim.

Kina dhe Hong Kongu renditen në vendin e tretë, me 32 miliarderë të rinj të kombinuar, duke përfshirë argjendari Xu Gaoming (8.2 miliardë dollarë). India (17 miliarderë të rinj) dhe Rusia (15) përfunduan pesëshen e parë.

Pothuajse 70% e miliarderëve më të rinj në botë – 196 prej tyre – janë bërë vetë, që do të thotë se ata e kanë krijuar vetë pasurinë e tyre në vend që t’i trashëgojnë ato.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *