17 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Hotelet deklarojnë turistë me pahir/ Referencat e qeverisë rrisin net qëndrimet në hotele

Vendosja e referencave fiskale për normën e shfrytëzimit të hoteleve ka dhënë efektet e para në deklarimet e tyre pranë tatimeve. Instituti i Statistikave raportoi një rritje të ndjeshme të net qëndrimeve të deklaruara nga hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese gjatë muajit prill.

“Në muajin Prill 2025, strukturat akomoduese shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe net qëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Vizitorët gjithsej u rritën me 14,7 %, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 15,3 % dhe rezidentë 13,1 %. Net qëndrimet gjithsej u rritën me 21,3 %, ku ato jo-rezidentë u rritën me 23,0 %, ndërsa ato nga rezidentët me 17,2 %. Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat jo-bregdetare (+8,5 %) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+15,5 %),” raportoi INSTAT.

Rritja e deklarimeve është e lidhur tërësisht me masat e ndërmarra nga qeveria për të formalizuar sektorin e mikpritjes në vend. Vitin e kaluar, Parlamenti ndryshoi ligjin e Turizmit duke futur me detyrim apartamentet dhe vilat në kategorinë e akomodimit duke parashikuar sanskione për ato që nuk regjistrohen.

Përveç ndryshimit të ligjit, në muajin mars qeveria miratoi një vendim, i cili u cakton me detyrim hoteleve normën e shfrytëzimit të kapaciteteve për qëllime fiskale me argumentin se aktualisht ato mashtrojnë shtetin dhe nuk deklarojnë numrin real për të mos paguar taksat.

Sipas vendimit të qeverisë, periudha e shfrytëzimit u nda në dy faza sezonale, përkatësisht, nga data 1 maj deri në datën 30 shtator dhe nga data 1 tetor deri në datën 30 prill të çdo viti.

Nga data 1 maj deri më datë 30 shtator niveli minimal i shfrytëzimit të strukturës akomoduese është 65% e kapacitetit total të saj, pra nën këtë shifër nuk mund të deklarohet shfrytëzim.

Pra një hotel me 100 dhoma, nuk mund të deklarojë shfrytëzim më të ulët se për 65 dhoma në muaj. Ndësa për periudhën tjetër të vitit niveli minimal i referencës është caktuar 30 për qind e kapacitetit.

“Ky nivel llogaritet duke marrë në konsideratë numrin e përgjithshëm të dhomave të shfrytëzuara përgjatë periudhës së shfrytëzimit në raport me kapacitetin e plotë të strukturës akomoduese gjatë kësaj periudhe”, thuhej në vendimin e qeverisë.

Sipas qeverisë, ky kufizim, vjen për shkak të informalitetit të lartë që ka në sektorin e turizmit, pasi hotelet edhe pse janë plot, edhe në pikun e sezonit turistik ata deklaronin se po shfrytëzojnë 50 maksimumi 60% të kapaciteteve të tyre.

ky vendim ka hyrë në fuqi që në muajin prill duke bërë që hotelet të deklarojnë rritje rekord të net qëndrimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *