Edhe pse qeveria bëri ligj për t’i detyruar hotelet që të deklarojnë më shumë turistë më pahir, sipërmarrjet hoteliere i kanë dhënë një goditje të madhe propagandës së bumit turistik, që fryn çdo ditë qeveria dhe mediat që ajo paguan brenda dhe jashtë vendit.
Në muajin maj, rreth 75 për qind e hoteleve deklaruan netqëndrime më pak se sa referenca e vendosur nga qeveria. Shifrat janë bërë publike nga Report Tv duke referuar dokumenta zyrtarë nga Tatimet.
“Shifrat e zyrtare të Ministrisë së Turizmit tregojnë se nga 1422 formularë të plotësuar nga subjektet hoteliere, rreth 74% e tyre ose 1052 subjekte kanë deklaruar shfrytëzim kapacitetesh më të ulët sesa referencat e caktuara në vendimin e qeverisë,” raportoi Report.
Në mars të këtij viti, qeveria miratoi një vendim, i cili detyronte hotelet që në sezonin turistik, nga 1 maj deri në 30 shtator, të deklaronin të paktën 65 për qind shfrytëzim kapaciteti. Pra një hotel me 100 dhoma nuk mund të raportonte më pak se 65 dhoma të zëna nga turistët në ditë. Për peridhën jashtë sezonit referenca u vendos 30 për qind e kapacitetit.
Por pavarësisht vendimit të qeverisë, në muajin Maj 75 për qind e hoteleve shqiptare kanë deklaruar më pak se referenca, të vetëdijshme se ky deklarim i vendos ato automatikisht në shënjestrën e Tatimeve me kontrolle dhe hetime.
Hotelet nuk deklarojnë në referencë sepse nuk kanë aq turistë. Kjo pasi hotelet, veçanërisht ato në bregdet, po përballen me stanjacion të turistëve dhe nuk mund të deklarojnë dot referencën e qeverisë, për sa kohë nuk i kanë ato rezervime.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë muajit të kaluar, numri i turistëve të huaj u rrit me vetëm 3.9 për qind duke i dhënë fund epokës së shkurtër të rritjes së shpejtë të turizmit, e cila filloi pas pandemisë.