3 Maj, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Kadareja i tenderave të shëndetësisë dhe socialisti Mezan Malaj u thajnë ujin mirditorëve

Banorët e fshatit Kaçinar të Mirditës protestojnë kundër ndërtimit të HEC-it në zonë dhe denoncojnë publikisht para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës për dhënien e lejes së projektit, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e prokurorisë me hetime sipas kallëzimit penal, pasi e cilësojnë në shkelje të ligjit nga ana e zyrtarëve vendorë dhe qendrorë.

Të tubuar para godinës së MEI, ata hodhën thirrje se “Uji është jetë, mos na thaj shpirtin” dhe “Jo dorë e zezë mbi Mirditën e bardhë”.

“Ata duan të na vjedhin ujin, pasurinë më të çmuar të njeriut. Nuk kemi asnjë lloj informacioni. Banorët nuk u vunë në dijeni për lejen që është e paligjshme. Organet kompetente të hetojnë, është në shkelje të ligjit. Të ndalohet ky projekt dhe ndërtimi i HEC, kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet”, thanë mes të tjerash organzatorët e protestës dhe banorët e Kaçinarit.

Në Kaçinar po ndërtohen katër hidrocentrale. Dy javë pasi kompania koncesionare “Shpërdhaza-Energji” ka zbarkuar mjetet e ndërtimit në Kaçinar banorët kërkojnë nga ministrja Balluku të pezullojë punimet.Ata pretendojnë se me këtë koncesion jo vetëm shkelet statusi i zonës së mbrojtur natyrore por dëmtohet bujqësia.

“Kanioni i Lumit Shperdhazë që është dhënë me koncesion për ndërtim e 4 HEC me fuqi 16 Mega është zonë e mbrojtur me ligj si monument natyrore. Aplikimi i këtij koncesioni ka një impakt shkatërrues në jetesën e banorëve dhe ndikim negative në mjedis në ekonomi dhe sjell dëm katastrofik në florën e faunën e zonës së Kaçinarit”, u shpreh një protestues.

“Duan të na vjedhin ujin, pasurinë më të çmuar të njeriut”, “Uji është jeta jonë” apo “Jo dorë të zezë mbi Mirditën e Bardhë” ishin disa nga pankartat që mbanin në duar banorët e Kaçinarit

Koncesioni për ndërtimin e 4 HEC-eve nga “Shpërdhaza-Energji”, në zonën e Kaçinarit në Mirditë është dhënë në vitin 2018 nga Ministria e Infrastrukturës. Kompania ndërtuese e këtyre hidrocentraleve zotërohet nga dy ortakë. Ata janë Artur Kadareja, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë në shëndetësi, më parë edhe i skualifikuar nga APP për mashtrim si dhe ish deputeti socialist Mezan Malaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *