18 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

KPP i hap dritën jeshile ndërtimit të Portit të Durrësit, rrëzohet ankesa e gjigandit francez

Fituesi i megatenderit 393 milionë euro për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano do të jetë një prej dy kompanive të kualifikuara në fazën e parë, hollandezja Van Oord ose grekja me qendër në Hollandë, Archirodon.

Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuat ankesën e gjigandit francez, Vinci, me arsyetimin se nuk pagoi tarifën përkatëse të ankimimit. Sipas ligjit shqiptar, tarifa e ankimit është sa 0.5 për qind e vlerës së procedurës së ankimuar. Në këtë rast, meqë vlera e tenderit ishte 393 milionë euro, kompania franceze duhet të paktën afro 2 milionë euro tarifë ankimimi në KPP.

Mes kompanisë franceze dhe Komisionit të Prokurimeve Publike ka patur debate të shumta për këtë çështja. Përmes avokatëve të saj Vinci ka pretenduar se ky është anikimim në fazën e parakualifikimit, ndaj si i tillë nuk është e detyrueshme pagesa e tarifës.

“Ankesa është paraqitur gjatë fazës së parakualifikimit dhe jo kundër një vendimi përfundimtar apo një vendimi të marrë pas përfundimit të kësaj faze. Prandaj, bazuar në përmbajtjen dhe interpretimin e Vendimit nr. 236, asnjë nga dispozitat e mësipërme nuk êshtë e zbatueshme në këtë rast specifik dhe, rrjedhimisht, nuk është e detyrueshme pagesa e tarífës së ankimit,” i është drejtuar Vinci përmes një shkrese zyrtare Komisionit të Prokurimeve.

Paralelisht kompania ka theksuar se edhe nëse tenderi do të ishte në fazën kur pagesa e tarifës së ankimimit të ishte e detyrueshme, do të ishte objektivisht e pamundur për një kompani ndërkombëtare që ta paraqiste atë brenda afateve të përcaktuara.

“E konsiderojmë të nevojshme t’ju informojmë se, objektivisht, nuk është e realizueshme për një konsorcium ndërkombëtar kryejë një transfertë prej 2 milionë euro në një llogari bankare shqiptare brenda afatit të dhënë. Transfertat me vlerë kaq të lartë kërkojnë disa nivele të miratimeve të brendshme, përfshirë nga departamentet e qeverisjes korporative dhe financiare, si dhe verifikimin e përputhshmërisë nga institucionet bankare procese të cilat janë në mënyrë të pashmangshme të zglalura në kohë dhe subjekt i kontrollit të shtuar sipas rregullave ndërkombëtare bankare,” thuhet në shkresën e Vincit.

Mirëpo këto pretendime nuk janë marrë parasysh nga Komisioni i Prokurimeve, i cili ka vendosur të rrëzojë ankesën e Vincit si dhe ka udhëzuar Autoritetin Portual, që të vazhdojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së Prokurimit.

Kjo do të thotë se tashmë Autoriteti Portual do të kalojë në fazën e ofertave financiare, ku do të thirren të paraqesin oferta vetëm dy kompanitë e kualifikuara në fazën e parë, hollandezja Van Oord dhe greko-hollandezja Archirodon.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *