20 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Kreditim rekord për turizmin/ Bankat dhanë 130 milionë euro kredi për hotelet vitin e kaluar

Turizmi vitet e fundit është kthyer në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Sipas të dhënave të fundit, kreditimi për sektorin e turizmit ka shfaqur një rritje të shpejtë. Bankat kanë dhënë ndjeshëm më shumë hua për tregtinë dhe turizmin gjatë vitit 2024, duke reflektuar një interes të shtuar për zhvillimin e këtij sektori. Vlen të thksohet se kjo rritje është e lidhur ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe rritjen e kërkesës për shërbime turistike.

Sipas të dhënave, portofoli i huasë për sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor arriti vlerën e 44 miliardë lekëve në fund të vitit 2024 ose rreth 445 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë rezulton se portofoli i kredisë është zgjeruar me 17%.

‘Scan Intel’ ka marrë në analizë edhe treguesin e huave të reja të disbursuara përgjatë vitit 2024 nga ku shohim se kredia për sektorin e turizmit ka prekur rekord. Huaja e re vlerësohet në 12.8 miliardë lekë, ose rreth 26% më e lartë se në vitin 2024, kur vlerësohej në 10.2 miliardë lekë.

Pra, të dhënat reflektojnë një kërkesë të lartë për financim nga sektori i turizmit, kushtet e favorshme të financimit, si dhe gatishmërinë e bankave për të përmbushur këtë kërkesë.

Turizmi është një nga sektorët kryesorë që vijon të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe premton të jetë shtylla kryesore e rritjes ekonomike edhe në vijim. Theksojmë se në vitin 2024 Shqipërinë e vizituan më shumë se 11 milionë shtetas të huaj me një rritje nga viti i kaluar prej 15%.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *