Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, i kurorëzuar vitin e kaluar, si aeroporti me rritjen më të madhe në Europë, vazhdon të shënojë një rritje të qëndrueshme të numrit të pasagjerëve. Referuar shifrave të fundit të publikuara nga TIA, 2,083,050 pasagjerë përdorën Aeroportin e Rinasit për të fluturuar në 3 muajt e parë të vitit, ose 173,293 pasagjerë më shumë se vjet, apo rreth 8.4% rritje.
Nëse shikon vërdallë nëpër rajon, asnjë aeroport nuk i ka këto shifra dhe nuk e ka këtë rritje, sepse në përgjithësi, nga ekspertët e aviacionit, viti 2025, është parashikuar të jetë një vit jo i lehtë. Sipas vlerësimeve, 2024 ishte viti i rikthimit në nivelet e para pandemisë dhe tejkalimit të këtyre niveleve, ndërsa aktuali parashikohet si sfidues, për të ruajtur të paktën shifrat e vitit të kaluar dhe akoma më mirë, siç po ndodh me TIA, të ketë një rritje tjetër.
Aeroporti i Beogradit, edhe pse ka bërë gjithçka në muajt e fundit, nuk po ia del të konkurrojë Rinasi. Dikur, ai ishte mbreti i padiskutueshëm i Ballkanit, tani këtë titull e mban me krenari Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Ekofin.al iu referua shifrave zyrtare të “Nikola Teslas”, ku rezulton se për 3-mujorin e parë në këtë aeroport kanë fluturuar 1.6 milionë pasagjerë, ose 23% më pak pasagjerë sesa Rinas. Dhe të mendosh që diferencat e popullsisë janë të mëdha, pasi Serbia ka një popullsi prej 6.6 milionë banorësh, ndërsa Shqipëria 2.7 milionë banorë. Rritja vjetore e Nikola Teslës është thuajse e papërfillshme në 3-mujor, vetëm 0.4%.
Rinasi ka lënë gjithashtu mbrapa edhe të gjithë aeroportet e tjera rajonale, që nga ai i Prishtinës, Ohrit, Tivatit, Shkupit, e deri tek i Dubrovnikut, duke mbajtur edhe për ketë vit statusin e “polit ballkanik të fluturimeve”, e vërtetuar kjo edhe përmes shifrave, ku shumë shtetas nga Mali i Zi dhe Kosova udhëtojnë me makinë drejt Shqipërisë, për të fluturuar më tej nga Rinasi, kjo edhe për shkak të biletave të favorshme dhe fluturimeve low cost.