14 Maj, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Një tabelë dhe disa indicie

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një nga institucionet që bën tenderat më të mirë në Shqipëri në termat e numrit të ofertave, garës mes kompanive dhe rrjedhimisht edhe për fondin e kursyer në raport me vlerën limit. E thënë ndryshe tenderat e Fondit janë ato ku ka më pak dyshime për vjedhje.

Kapitali konsultoi 15 procedura prokurimi që FSHZH ka zhvilluar gjatë dy muajve të fundit. Sipas të dhënave përmbledhëse, Fondi Limit i të gjithë tenderave është 12.6 miliardë lekë ose 126 milionë euro. Vlera e fituar e të gjitha procedurave rezulton 91.5 milionë euro.

Kjo do të thotë se qytetarëve u është kursyer gati 35 milionë euro nga gara ose rreth 27.5 për qind e fondit limit.

Tabela përmbledhëse e tenderave të infrastrukturës që zhvillon Fondi i Zhvillimit ngre disa indicie shumë të vlefshme mbi abuzimet që ndodhin me tenderat publikë në Shqipëri.

E para dhe më kryesorja, lidhet me caktimin e fondit limit të procedurave. Nëse kompanive u del që të hyjnë me oferta gati 30 për qind më të ulëta se sa fondi limit, atëherë pyetja është mbi ç’bazë caktohet ky fond?

Në këtë rast, shqetësimi ngrihet mbi të gjitha për institucionet e tjera që prokurojnë shuma të mëdha nga fondet e buxhetit, duke filluar nga Autoriteti Rrugor, prokurimet e infrastrukturës nga Bashkitë, hekurudhat e deri tek Agjencitë e Ujësjellës Kanalizimeve. Manuali i çmimeve mbi të cilat caktohen vlerat limit të tenderave është i njëjti për të gjithë. Sepse nga kjo tabelë rezulton që ai është i fryrë artificialisht.

Nëse Fondi Shqiptar i Zhvillimit arrin të kursejë 30 për qind të vlerës limit, pse Hekurudhat me të njëjtin manual çmimesh të preventivit kërkjonë shtesë fondesh 40 për qind mbi fondin limit për hekurudhën Tiranë-Durrës?

Indicia e dytë lidhet me krahasimin e rezultateve të tenderave. Pse në rastin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, gara mes kompanive u kursen qytetarëve 30 për qind të çmimeve referencë, ndërkohë që në institucionet e tjera, tenderat fitohen me 99.9 për qind të fondit limit dhe pastaj marrin edhe shtesa kontrate deri në 20 për qind?

Kjo është një indicie shumë e fortë për SPAK të qëmtojë se çfarë ndodh në këto institucione. Mjafton të krahasojë rezultatet e përmbledhura të tenderave që zhvillohen nga institucionet që kryejnë prokurime të ngjashme.

Numrat nuk gënjejnë asnjëherë. Ashtu siç nuk gënjëjne as në rastin e Fondit të Zhvillimit. FSHZH vertetë bën tenderat më të mirë në Shqipëri, por me një kusht. Kur në to nuk merr pjesë kompania FUSHA.

Sa herë që në tenderat e FSHZH-së hyn kompania FUSHA, numrat prishen menjëherë. Tabela më sipër e tregon qartë. Nëse mesatarja e përgjithshme me të cilën fitohen tenderat në FSHZH është 72.5 për qind e fondit limit, në tenderat që fitohen nga FUSHA ajo kërcen në 90 për qind. Dhe kjo ishte indicia e tretë për SPAK.

Numrat. Ata thonë gjithmonë të vërtetën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *