Teksa ministrja e infrastrukturës, Belinda Balluku trumbeton me të madhe publikisht se Shqipëria ka marrë një çmim të parë nga Forumi Ekonomik Botëror për qëndrueshmërinë energjetike, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po shpenzon shuma marramendëse për të blerë energji elektrike nga importi. KESH ka nisur importet masive të energjisë elektrike që nga filimi i këtij muaji për shkak se rezerva hidrike e vendit nuk mund të përballojë dot konsumin.
Sipas të dhënave të bërë publike nga fillimi i muajit deri më tani, KESH ka shpenzuar gati 15 milionë euro për të blerë energji nga importi me qëllim që të furnizojë vendin me energji.
KESH thotë se është e detyruar të blejë sasi të madhe energjie për shkak të rritjes së kërkesës dhe thatësirës që ka pakësuar prodhimin vendas. KESH importoi energji në tre muajt e parë të vitit dhe më pas ndaloi së bleri nga jashtë për të rifilluar sërish në qershor me fillimin e verës.
Sipas të dhënave zyrtare deri më tani, KESH ka blerë në total mbi 400 mijë mega vat energji për këtë vit me një çmim mesatar prej 124 euro për mega vat. Kjo e çon faturën totale të blerjes së energjisë nga importi për këtë vit në mbi 50 milionë euro. Një shifër kjo që tregon një realitet të ndryshëm nga propaganda e qeverisë për Shqipërinë superfuqi energjetike në Ballkan, apo Shqipërinë që merr çmime të para për qëndrueshmërinë energjetike.