14 Maj, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Qeveria shkurton investimet me 180 milionë euro për bonuset e pensionistëve

Qeveria ka shkurtuar me 180 milionë euro investimet publike të planifikuara për këtë vit, teksa projektet kanë ngelur rrugëve të parealizuara. Në aktin e fundit normativ të miratur në mbledhjen e radhës Këshilli i Ministrave ka ndryshuar sërish buxhetin e vitit 2024, për të akomoduar mosrealizimet, veçanërisht në krahun e shpenzimeve.

Sipas dokumentit të ndryshuar, investimet publike janë ulur në 1 miliardë e 320 milionë euro nga 1 miliardë e 500 milionë euro që ishin programuar. Ndërsa në raport me Prodhimin e Brendshëm, investimet publike ulen me 0.8 pikë përqindje, nga 6.2 për qind e PBB-së që ishin planifikuar në 5.4 për qind.

Shkurtimet më të mëdha të investimeve kanë prekur sektorin e mbrojtjes kombëtare dhe fondin shqiptar të zhvillimit. Sipas tabelave të buxhetit, investimet e ministrisë së mbrojtjes janë ulur 85 milionë euro krahasuar me programimin, ndërsa investimet e fondit shqiptar të zhvillimit janë ulur me 40 milionë euro. Këto shkurtime janë tërësisht pasojë e mosrealizimit të projekteve në terren.

Paratë e shkurtuara nga investimet publike, qeveria ka vendosur që t’i alokojë për të financuar bonuset binjake të pensionistëve. Bonusi i parë, ai që po jepet për festat e fundvitit ka një faturë totale prej 98 milionë euro. Në buxhetin e fillim vitit, qeveria kishte parashikuar vetëm 36.5 milionë euro për të shpërndarë si bonus fundviti për pensionistët, duke e shtuar shifrën me aktin e fundit normativ edhe me 61.5 milionë euro.

Po kështu, përveç bonusit të fundvitit, qeveria ka vendosur që me aktin normativ të kalojë edhe 63 milionë euro në llogarinë e posaçme që është hapur në Bankën e Shqipërisë. Këto para do të përdoren për të financuar bonusin e pranverës së pensionistëve.

Buxheti si fletore bakalli
Buxheti i shtetit tashmë është bërë si një fletore bakalli, e cila shkarravitet në mënyrë të vazhdueshme, me programet dhe paratë që lëvizin herë në një zë dhe herë në një tjetër.

Kjo është hera e katërt, që qeveria ndryshon buxhetin e vitit 2024. Frekuenca e madhe e ndryshimeve të buxhetit tregon menaxhim kaotik të financave të shtetit dhe prioriteteve që financohen nga paratë publike.

Ndryshimi i fundit i buxhet konsiston tërësisht në rishpërndaje fondesh, ose më saktë në heqjen e financimeve nga projektet e parealizuara të investimeve publike dhe kalimin e tyre për të financuar bonusin e pensionistëve.

Por ndryshimi katër herë i buxhetit brenda vitit përbën një rekord të pashënuar me parë në historinë e financave publike të vendit. Ashtu siç përbën një ngjarje të papreçedentë transferimi i fondeve buxhetore për vitin pasardhës, sic është rasti i bonusit të pranverës për pensionistët, i cili financohet me paratë e buxhetit të këtij viti.

Megjithatë, tabelat e ndryshimeve tregojnë se 150 milionë eurot që pensionistët do të marrin me dy bonuset, atë të fundvitit dhe karamelen elektorale të pranverës së vitit të ardhshëm, nuk janë rezultat i mirëmenaxhimit të financave të shtetit, por thjesht paaftësi për të realizuar investimet publike ose paaftësi në programimin fillestar të tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *