Serbia ka njoftuar pezullimin e eksporteve të armëve, përfshirë municionet e prodhuara nga kompanitë vendase të mbrojtjes.
Aleksandar Vuçiç, presidenti i vendit, e deklaroi këtë të hënën, më 23 qershor, sipas shërbimit ballkanik të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria.
Kur u pyet nga gazetarët nëse Serbia kishte marrë një anë në konfliktin Izrael-Iran duke eksportuar municione në Izrael, Vuçiç u përgjigj se vendi ka pezulluar të gjitha eksportet dhe aktualisht po furnizon municione vetëm për ushtrinë e vet.
“Ne nuk po eksportojmë asgjë për momentin. Të gjitha eksportet janë ndaluar dhe çdo vendim i ardhshëm për të rifilluar do të kërkojë miratim të kujdesshëm dhe specifik. Ne do ta vlerësojmë situatën dhe do të veprojmë në përputhje me interesat kombëtare të Serbisë. Autoritetet kryesore qeveritare do të mbahen plotësisht të informuara”, deklaroi presidenti.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë më vonë lëshoi një deklaratë duke thënë se “eksporti i armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në vend po pezullohet” në përputhje me direktivat e presidentit. Deklarata shpjegoi se në të ardhmen, eksporti i produkteve të prodhuara nga industria e mbrojtjes do të kërkojë, përveç miratimit të ministrive dhe agjencive të tjera përkatëse, pëlqimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Të dhënat e sakta mbi llojet dhe sasitë e armëve dhe pajisjeve ushtarake që Serbia eksporton në Izrael dhe vende të tjera nuk janë të disponueshme publikisht.
Vuçiç gjithashtu pyeti në mënyrë retorike: “Kush është përdoruesi përfundimtar i autorizuar” i armëve dhe pajisjeve ushtarake serbe.
“Nuk mund të eksportoj në Azi, nuk mund të eksportoj në Afrikë, nuk mund të eksportoj në Evropë, nuk mund të eksportoj në Amerikë. Pra, ku doni që ne të eksportojmë municione – në Antarktidë?” tha presidenti serb.
“Meqenëse kemi vërejtur municione që shfaqen në Ukrainë – nga të dyja anët, me ankesa nga të gjitha palët – e vetmja mënyrë që mund ta adresoj këtë është duke u siguruar që, për momentin, të gjitha municionet të mbeten rreptësisht brenda kazermave tona”, theksoi ai.
Deklarata e presidentit serb erdhi mes akuzave të ripërtërira ruse se Serbia po furnizon me armë Ukrainën. Megjithatë, Beogradi zyrtar ka mohuar vazhdimisht se i ka furnizuar me armë Ukrainës apo Rusisë, duke theksuar se nuk mund të kontrollojë nëse armët e prodhuara në Serbi, pasi të transferohen përmes vendeve të treta, përfundojnë në fushën e betejës ukrainase.
Industria ushtarake është një nga zërat kryesor të eksporteve serbe me gati 2 miliardë euro eksporte armësh dhe municionesh luftarake në vit.