Kompania postare DHL ka kërkuar në KQZ vlerën e plotë monetare të kontratës, 9.2 milion euro në përfundim të procesit të shpërndarjes së votës së diasporës. Bëhet me dije se faturat janë të pa detajuara dhe janë thjesht të ndarë në muajt e dërgim-kthim, jo me numra konkrete se sa dërgime e kthime dhe as të ndara sipas shteteve.
Gjithashtu mësohet se KQZ ka refuzuar t’i paguajë faturat në këtë formë dhe i ka kërkuar DHL-së të sjellë faturë të veçantë për çdo shtet që ka bërë transport dhe për çdo shtet të sjellë edhe kopje elektronike të firmave të zgjedhësve që kanë tërhequr zarfet.
Sipas informacioneve, DHL ka sjellë firmat për një pjesë të madhe të shteteve dhe stafi i KQZ ka filluar punën për kontrollin e nënshkrimeve. Nga ana tjetër rezulton se krahas firmave të rregullta, ka raste kur në vend të firmës është një vizë, një pikë, ose mungon dhe për këtë KQZ thuhet se do të paguhen vetëm transportet e zarfeve të rregullt me firmë.