Tatimet kanë publikuar pagat referencë për punonjësit në sektorin e turizmit duke paralajmëruar bizneset se do të përballen me kontrolle të thelluara nëse deklarojnë paga më të ulëta se këto nivele.
Lista e pagave është bërë publike në planin sektorial të turizmit dhe ka për qëllim rritjen e të ardhurave që mblidhen nga tatimi i pagës, por edhe kontributet e sigurimeve shoqërore.
“Tatimpaguesit duhet të deklarojnë saktë pagat reale të punonjësve. Çdo deklarim poshtë pragut referencë do të konsiderohet indikator risku dhe do të bëhet objekt i verifikimeve tatimore,” thuhet në dokument.
Sipas listës së publikuar, pagat variojnë nga 55 mijë lekë deri në 140 mijë lekë në muaj në varësi të profesionit.
Lista e pagave referencë
Kryekuzhinier/Kuzhinier: 140,000 lekë
Manaxher hoteli: 110,000 lekë
Shef pastiçerie: 130,000 lekë
Kamarier: 70,000 lekë
Recepsionist: 63,000 lekë
Sanitar, larës enësh, punëtor krahu: 60,000 lekë
Administrata Tatimore i ka bërë thirrje bizneseve turistike që të përditësojnë listëpagesat dhe të deklarojnë pagat reale për të shmangur kontrollet dhe penalitetet që pasojnë nga to.