Hetimi Tatimor ka nisur hetimet ndaj 100 subjekteve dhe individëve për të ardhurat që ata kanë përfituar nga rrjetet sociale. Përmes një njoftimi zyrtar Tatimet bënë të ditur se nga verifikimet paraprake dyshohet që këto subjekte dhe individë kanë përfituar rreth 33 milionë euro të padeklaruara nga platformat sociale si Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google dhe PayPal.
“Administrata Tatimore ka njoftuar më datë 29 mars, përmes rrjeteve sociale, që individët dhe subjektet të përmbushin detyrimet ligjore nëpërmjet vetëdeklarimit në DIVA 2024. Ftojmë tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, të kryejnë sa më shpejt këtë detyrim, për të shmangur penalitete dhe masa të tjera që mund të sjellë një hetim i thelluar,” paralajmërojnë Tatimet.
Vitet e fundit platformat sociale janë bërë një biznes i rëndësishëm për mediat dhe të ashtuquajturit influencerë, të cilët janë njerëz me ndjekje të lartë në rrjetet sociale. Përmes reklamave audiovizive, atyre me klikime apo sponsorizimeve të ndryshme këto subjekte fitojnë shuma të konsiderueshme nga platformat e tyre sociale, të cilat sipas Tatimeve nuk janë deklaruar duke shmangur kështu pagimin e taksave.