Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku njoftoi se Autoriteti Portual ka përfunduar fazën e parakualifikimit në tenderin për ndërtimin e Portit të ri në Porto Romano, një investim ky me vlerë 393 milionë euro. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balluku deklaroi se në garë morën pjesë 5 konsorciume ndërkombëtare.
“Komisioni, i udhëhequr nga konsulenti ndërkombëtar Royal HaskoningDHV, kualifikoi 2 konsorciume, të cilët pas dorëzimit të dokumentacionit fizik do të paraqesin ofertat ekonomike,” njoftoi ministrja e Infrastrukturës.
Kompanitë e kualifikuara janë hollandezja Van Oord dhe grekja Archirodon Construction.
Sipas Ballukut, Shqipëria do të ketë një port model, një HUB në Mesdhe, i cili do t’i shërbejë të gjithë rajonit
Faza e parë përfshinte hapjen e garës tenderuese, pjesë e të cilës ishte edhe zhvillimi i një terminali kontejnerësh me dy shtretër.
Faza e dytë ishte e ajo e parakualifikimit, ku ofertuesit e mundshëm parakualifikohen me kusht që të plotësojnë një sërë kriteresh të paracaktuara teknike dhe financiare. Me mbylljen e kësaj faze, nis tashmë faza e ofertimit në të cilën ofertuesit e parakualifikuar mund të dorëzojnë ofertën e tyre financiare.
Ky projekt synon modernizmin e infrastukturës portuale, me anije më të mëdha dhe thellësi pothuajse të dyfishtë krahasuar me thellësinë aktuale.
Fondi për ndërtimin e portit është 393 milionë euro vetëm për fazën e tij të parë. Royal HaskoningDHV është kompania e cila do të mbikëqyrë të gjithë procesin, që nga gara e deri të punimet për ndërtimet e portit.