Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali fotovoltaik me fuqi 62 megavat në Taç të Kolonjës. Kompania ndërtuese e centralit është turkja Fortis Energy and Construction.
Sipas vendimit të qeverisë, centrali diellor do të ndërtohet brenda 36 muajve dhe kompania private do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të tij për 49 vjet.
Këshilli i Ministrave ka ngarkuar ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme, me afate 3-mujore, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.
Ky park fotovoltaik nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton masa mbështetëse nga shtetit. Ai do të ndërtohet me paratë e kompanisë turke, e cila do të prodhojë energji për shitje në treg të lirë.
Fortis Energy dhe Construction është pjesë e grupit turk UCK Holding, që zotërohet nga Atilla Üçkardeş dhe Mehmet Burak Üçkardeş. Ky grup ka investime të konsiderueshme në energjinë e rinovueshme dhe zotëron parqe fotovoltaike në disa vende të rajonit si Turqi, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnje.
Ndërkohë sipas deklarimeve në faqen e saj zyrtare, në Shqipëri Fortis synon të ndërtojë burime prodhuese të energjisë së rinovueshme deri në 560 megavat.