18 Qershor, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Yura zgjeron fabrikën për pjesët e automjeteve në Fier

Kompania koreane Yura do të zgjerojë më tej prodhimin e sistemeve dhe pjesëve elektrike të automjeteve në Fier. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi lejen e ndërtimit për zgjerimin me rreth 3 mijë metër katrorë të tjera të fabrikës së vendosur në afërsi të qendrës së Fierit.

Shoqëria Yura Corporation ka si aktivitet kryesor të saj prodhimin e sistemeve dhe pjesëve elektrike për automjetet. Aktivitetet e saj në Shqipëri nisën në vitin 2018 dhe që atëherë kompania ka qenë në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2023, shoqëria realizoi rreth 59 milionë euro të ardhura dhe numëronte rreth 1890 të punësuar.

Sipas të dhënave nga bilanci zyrtar i dorëzuar në qendrën kombëtare të biznesit, për vitin 2023 fondi total i pagave të kompanisë ishte 15.9 milionë euro, çka i korrenspondon me një pagë mesatare prej 700 eurosh në muaj për të punësuar. Kjo është një shifër relativisht e ulët, jo vetëm për industrinë automotive, por tashmë edhe për nivelin mesatar të pagave në shkallë kombëtare.

Gjithsesii, kompania koreane planifikon të shtojë disa linja të reja në fabrikën e Fierit për të zgjeruar edhe më shumë prodhimin. Për këtë arsye ka lindur nevoja e ambienteve shtesë në fabrikë.

Aktualisht, fabrika ekzistuese e kompanisë në Fier, ka një sipërfaqe prej rreth 12 mijë e 800 metrash katrorë dhe me shtesën e re sipërqja e fabrikës shkon në 15.8 mijë metra katrorë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *