14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Sekretari i Pëgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve reagon për sulmet e Veliajt ndaj medias: Z. Veliaj, MJAFT MË!

Sekretari i Pëgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka reaguar ashpër ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj pas sulmeve ndaj gazetares Ola Xama, e cila publikoi një artikull për agjencinë BIRN ku e cilësonte zotin Veliaj si propozuesin e koncesionit të inceneratorit të Tiranës.

Në një postim në rrjetet sociale, Gutierrez bën me dije se një ditë pasi gazetarja Ola Xama publikoi artikullin, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ka shkruajtur gazetares duke e quajtur “militante” dhe “vrasëse me kontratë”, si dhe disa media janë angazhuar në një fushatë negative kundër gazetares së BIRN.

Postimi i plotë i Gutierrez
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka sulmuar edhe një herë mediat profesionale dhe gazetarët shqiptarë. Kjo është e padenjë për postin që ai mban.

Z. Veliaj e përshkroi Ola Xama, një gazetare investigative nga BIRN, si një “vrasëse me kontratë” pasi ajo zbuloi se ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm në një projekt të lidhur me menaxhimin e mbetjeve publike në Tiranë. Aktualisht po zhvillohen hetime që përfshijnë figura të rëndësishme politike për mënyrën e menaxhimit të mbetjeve në kryeqytetin shqiptar.

Hetimi u publikua më 13 korrik 2023 dhe Veliaj refuzoi kërkesën e BIRN për koment. Një ditë pas publikimit, Z. Veliaj i shkruante gazetares se ajo i kishte ngatërruar faktet dhe e quajti atë “militante”. Në një komunikim tjetër me gazetaren, ai i ka thënë “nuk je gazetare, je vrasës me pagesë”. Disa media u angazhuan në një fushatë negative kundër Ola Xamës, duke përdorur të njëjtat fjalë si z. Veliaj.

Të quash një gazetar vrasës me pagesë është një akuzë e rëndë që mund të çojë në ngacmime në internet dhe madje edhe kërcënime fizike. Përdorimi i fjalëve të tilla rrezikon seriozisht Ola Xamën dhe dekurajon atë dhe gazetaret e tjera që të kryejnë punën e tyre si gazetare në interes të publikut.

I kam kërkuar disa herë në të shkuarën zotit Veliaj që të mos frikësojë dhe denigrojë gazetarët dhe qytetarët shqiptarë që guxojnë ta kërkojnë llogari. Këtë herë do t’i drejtohem në shqip. Ndoshta ai do të dëgjojë më shumë?

Z. Veliaj, MJAFT MË.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *