10 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e projektit ‘Durrës Marina’, Mohamed Alabbar, vizionari pas kompanisë ‘EMAAR’ shpjegon në një intervistë ekskluzive për SCAN se është i kënaqur me ecurinë e punimeve.
Në intervistën dhënë për emisionin ‘Insider’ të gazetarit Angelo Haruni, Alabbar shprehet se procesi po shkon jashtëzakonisht mirë.
“Në fakt, e kemi nënshkruar marrëveshjen me qeverinë vetëm këtë vit në shkurt. Ndaj, në 10 muaj shumë gjëra kanë ndodhur. Sepse pas nënshkrimit të marrëveshjes duhet të bëjmë projektimin, projektimin e detajuar, tenderat, kontratat.
Ndaj jam mjaft i kënaqur që brenda 10 muajsh ne jemi në kantier. Por shpresoj gjithashtu të mund të ecim më shpejt. Në anën e shitjeve, gjërat po shkojnë jashtëzakonisht shumë mirë. Në fakt, më mirë se sa pritshmëritë e mia. Kur vjen puna tek çfarë po shesim, dëgjo, kushdo mund të ndërtojë një 1+1 apo 2+1. Nuk është fare problem.
Por mendoj se duhet të shesim një stil jete. Pasi del nga apartamenti dhe bën një shëtitje me vajzën apo gruan tënde, si është kjo jetë? Si është xhiroja? Sa e sigurt është? Sa e pastër është? Si është peizazhi? Cilat janë shërbimet që ne ofrojmë atje? Ku është kafeneja? Ku është kopshti i vogël, parku? Ku është arti, dritat? Jam i fokusuar tek kjo.
Jam në këtë biznes prej gati 29 vitesh. Kompani ime kryesore nxjerr gati 2 miliardë dollarë fitim neto çdo vit. Por nuk mendoj se është çështje parash. Mendoj se është për ngazëllimin e të bërit gjëra dhe të mësuarit gjatë rrugës. Në çdo vend ku shkoj, si një fëmijë i vogël që takon njerëz e njeh ambientin. Por gjithashtu të jepet një shans për të ndryshuar jetët e njerëzve.
Ky është një shans i pabesueshëm. Dhe përpos kësaj fiton edhe para. Ndaj, jam thjesht një person i entuziazmuar që marr pjesë në evoluimin e jetës njerëzore dhe kjo është shumë emocionuese për mua” u shpreh Alabbar.
Mohamed Alabbar konsiderohet si një ndër njerëzit më të rëndësishëm të biznesit ndërkombëtar. Ai është njeriu që ka ndërtuar Dubain dhe ka ideuar e ngritur ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa. Grupi i tij do të zhvillojë projektin për transformimin e Portit të Durrësit.
Ky projekt parashikon ndërtimin e hoteleve, rezidencave private, shëtitoreve, dyqaneve, restoranteve superluksoze, mbi 80 mijë metra katrorë parqe dhe hapësira të hapura, si dhe 170 dyqane tregtare rreth portit të ri.
Punimet për ndërtimin e “Durrës Yachts & Marina”, janë të ndara në tre faza, ku në fazën e parë janë godinat, më pas infrastruktura dhe në fund Marina. Totali i këtij investimi të marrë përsipër nga biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, llogaritet në afro 2 miliardë euro.
Scan tv