24 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

BSH: Ekonomia më mirë se pritshmëritë, inflacioni do të ulet

Banka e Shqipërisë deklaroi se ekonomia shqiptare ka ecur më mirë se parashikimet gjatë muajve të fundit, teksa inflacioni është ulur dhe aktiviteti ekonomik është zgjeruar më shumë se sa pritej. Pas mbledhjes së radhës të Këshillit Mbikqyrës, Guvernatori Gent Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të vijojë të ulet më tej, por paralajmëroi për rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste.

“Parashikimet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë rënien graduale gjatë këtij viti dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Gjithashtu, këto parashikime sugjerojnë se rritja ekonomike e vendit do të mbetet në territor pozitiv, e mbështetur nga bilancet solide të sektorit privat, perspektiva pozitive e tregut të punës, përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë dhe kushtet ende akomoduese të financimit,” deklaroi Sejko.

Vitin e kaluar ekonomia shqiptare u rrit me 4.8 për qind e udhëhequr nga turizmi dhe ndërtimi. Sipas INSTAT, në krahun e kërkesës rritja ekonomike është ushqyer nga rritja e konsumit të familjeve dhe investimet private. “Të dhënat indirekte sugjerojnë vijimin e këtyre trendeve edhe gjatë tremujorit të parë të vitit aktual,” tha Guvernatori.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e goditja që inflacioni i lartë shkaktoi në buxhetet e familjeve është zbutur nga rritja e pagave dhe punësimit. “Perspektiva e tregut të punës mbetet pozitive, ndërsa vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për fuqi punëtore dhe vullnet për rritjen e pagave në vijim,” parashikoi Sejko.

Sipas Bankës së Shqipërisë rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave japin sinjale inkurajuese për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen. Por këto zhvillime kanë një risk pasi krijojnë një mjedis të favorshëm për rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend,” thuhet në deklaratën zyrtare të mbledhjes së Këshillit. Por Sejko tha se këto presione do të monitorohen me kujdes, dhe nëse do të jetë e nevojshme, Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë për të rritur më tej normën bazë të interesit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *