14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Uncategorized

Gjermania rrit pagat e sektorit publik me 5.5 për qind

Punonjësit e sektorit publik në Gjermani arritën të fitonin një rritje rroge me 5.5 për qind si masë për të kompesuar efektet e inflacionit të lartë. Marrëveshja që u arrit në orët e vona të së shtunës erdhi pas negociatave të gjatë mes sindikatave dhe punëdhënësve.

Prej javësh punonjësit e shërbimit postar, atij të transportit dhe personeli shëndetësor ishin hedhur në greva të vazhdueshme duke kërkuar më shumë para për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.

Sipas marrëveshjes, 2.5 milionë punëtorët e sektorit public në Gjermani do të përfitojnë rritje me 5.5 për qind të pagës ose 340 euro shtesë në muaj duke filluar nga Marsi i vitit të ardhshëm. Ndërkohë nga qershori i këtij viti ata do të përfitojnë edhe një kompesim prej 3 mijë euro të përjashtuar nga taksat, e cili do të paguhet me disa këste.

Sindikata e Shërbimeve të Bashkuara, e dyta më e madhe në Gjermani kishte kërkuar një rritje mesatare të rrogës me 10.5 për qind ose të paktën 500 euro shtesë në muaj. Kjo sindikatë ishte nxitësja kryesore e grevave të përgjithshme që paralizuan një sërë shërbimesh kyçe publike në Gjermani deri në marrëveshjen e natës së kaluar.

Inflacioni në Gjermani regjistroi vlerën 7.4 për qind më Mars, duke qëndruar në nivele të larta pavarësisht uljes nga piku prej 8.8 për qind që arriti Tetorin e vitit të kaluar. Ndërkohë bisedimet për rritje pagash vazhdojnë sërish për sektorët e tjerë si transporti hekurudhor, ku punonjësit mbajtën një greve gjysmë dite të Premten që shkoi.

Më parë, në muajin Mars, punonjësit e shërbimit postar arritën të përfitonin një rritje page prej 11.5 për qind dhe në nëntor punonjësit pjesë e sindikatës më të madhe në Gjermani, IG Metall fituan shtesë page prej 8.5 për qind për thuajse 4 milionë punëtorë të sektorit publik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *