Një kontroll i Agjencisë së Prokurimit Publik mbi tenderat sekretë të kryer nga institucionet shtetërore gjatë vitit të fundit ka zbuluar abuzime flagrante dhe shkelje të hapura të ligjit. Kontrolli ka përfshirë prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
“Gjatë periudhës Korrik 2024 – Nëntor 2024, verifikoi zbatimin e ligjshmërisë në 6 procedura prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të kryera nga autoritete të ndryshme kontraktore, në periudhën Qershor 2021 – Qershor 2024. Marrë shkas nga gjetjet e evidentuar në kuadër të procesit të verifikimit, APP u bën thirrje autoriteteve kontraktore që të zbatojnë ligjin,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Në Ministrinë e Mbrojtjes, APP ka konstatuar të paktën dy tendera sekretë në shkelje të ligjit.
“Në një rast Autoriteti Kontraktor ka caktuar fondin limit duke marrë vetëm një ofertë paraprakisht” thuhet në njoftimin e APP.
Ndërkohë shkelje të ligjit janë konstatuara edhe në në një tender të Policisë së Shtetit dhe një tjetër në AKSHI.
Pas ushtrimit të këtyre kontrolleve APP njofton se ka gjobitur specialistët në komisionet e tenderave. Por gjobitja e tyre as nuk u afrohet vlerave të abuzimeve me fryrjen artificiale të çmimeve.
Për këtë qëllim Agjencia e Prokurimit u bën thirrje institucioneve publike që të mbajnë parasysh veçanërisht 20 kërkesa të përcaktuara në ligj me qëllim shmangien e abuzimeve.