14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

NAREA: Bllokimi i rivlerësimit ka futur në kolaps tregun e pasurive të patundshme

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme ka shprehur shqetësim mbi zvarritjen e trajtimit në komisionet parlamentare të nismës së deputetes Blerina Gjylameti për rivlerësimin e pronave.

Përmes një deklarate për shtyp, NAREA bën me dije se tregu i rishitjes së pasurive të paluajtshme është pranë një kolapsi për shkak të paqartësive dhe mungesës së vendimmarrjes për fillimin e procesit të rivlerësimit me 5% brenda muajit shtator 2024, sikurse u deklarua publikisht nga kryeministri Edi Rama.

Sipas shoqatës kjo situatë ka dhënë efekte në tregun imobiliar duke filluar me mungesën e transaksioneve, në procedurat pezull pranë zyrave noteriale, në mungesën e performancës së sektorit financiar si dhe në mungesën e arkëtimit të ardhurave në arkën e shtetit.

Sipas NAREA, për 9 muajt e parë të 2024, janë arkëtuar më pak se 2% e të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin Kapital, duke sjellë një gropë prej 56 milionë Euro.

NAREA bën thirrje për zhbllokimin e kësaj situate, duke theksuar se Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave, duhet të kenë një vëmendje të zgjeruar ndaj rreziqeve që po i kanosen industrisë.

Pak ditë më parë Kapitali publikoi lajmin se qeveria e ka pezulluar miratimin e ligjit për rivlerësimin me argumentin se do të rrisë cmimet e referencës në të gjithe territorin e Shqipërisë, ashtu si bëri në Tiranë.  Kjo e shtyn miratimin e draftit për pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *