16 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Pasi miratoi instalimin e oligopolit, Autoriteti i Konkurrencës kërkon rregullimin e tregut celular

Pasi miratoi blerjen e Albtelecom nga grupi hungarez 4iG duke instaluar oligopol të mirëfilltë në treg, tani Autoriteti i Konkurrencës i kërkon AKEP-it që të rregullojë tregun e telefonisë celulare duke caktuar çmimet.

“Komisioni Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë AKEP që në kushtet e ndryshimeve strukturore të ndodhura në tregun e telefonisë celulare të realizojë analizën e tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme rregullatore për rregullimin e këtij tregu,” thuhet në vendimin e Komisionit të Konkurrencës.

Po ashtu në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës i rekomandon AKEP që për përcaktimin e tarifave të terminimit të implementojë metodologjinë e vendeve të BE duke patur si qëllim parësor çmime të orientuara drejt kostos.

Tregu i telefonisë celulare është në kushtet oligopolit të mirëfilltë me vetëm dy kompani, që janë Vodafone dhe ONE. Kjo e fundit vitin e kaluar bleu dhe kompaninë e tretë Albtelecom, një transaksion i cili shkaktoi shqetësime të mëdha mes ekspertëve pasi e vendoste tregun në kushtet e oligopolit të pastër. Por pavarësisht këtyre shqetësimeve, transaksioni u miratua nga Autoriteti i Konkurrencës dhe pasojat në treg nuk vonuan.

Që nga vera e vitit të kaluar miliona abonentë të ONE janë përballur me përkeqësim të ndjeshëm të shërbimit deri edhe në ndërprerje totale, ndërkohë që shumë qytetarë ankohen edhe për tarifa të rritura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *