25 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Pazaret e pambyllura çarmatosin policinë e shtetit, anulohet tenderi 16 mln euro

Në 26 qershor të këtij viti, teksa ishte ende ministër i Brendshëm, Bledi Çuçi firmosi një urdhër prokurimi me vlerë 16 milionë euro. Bëhej fjalë për hapjen e tenderit më të madh për blerjen e armëve dhe pajisjeve luftarake në historinë e Policisë së Shtetit.

Sipas shpalljes, data e tenderit ishte përcaktuar në mesin e muajit Gusht. Por ngjarjet nuk rrodhën ashtu siç ishin parashikuar. Në fillim të Korrikut në rrjetet sociale shpërtheu një video në zonën e Fushën Krujës.

Ishin anëtarët e fisit Rraja, që shfaqeshin duke rrahur barbarisht dy persona nga një fis tjetër për çështjen e guroreve. Sapo videoja u bë virale, Edi Rama shkarkoi menjëherë Bledi Çuçin nga posti i ministrit të Brendshëm. Pa letër dorëheqje siç ndodh zakonisht në këto raste.

Çuçi iku, por tenderi i armëve mbeti aty. Kryeministri Edi Rama vendosi të emërojë Taulant Ballën si ministër të Brendshëm. Dhe me sa duket ndryshimi i ministrit ndryshoi dhe llogaritë e tenderit gjigand.

Anulim i beftë

Pak ditë më parë, ministria e Brendshme njoftoi në mënyrë të beftë anulimin e tenderit të armëve. Përmes një njoftimi zyrtar, ministria bëri të ditur se kishte anuluar të dy lotet e tenderit, lotin e parë me vlerë rreth 1.2 miliardë lekë dhe atë dytë me vlerë 438.6 milionë lekë.

Në njoftimin e anulimit ministria shkruan se arsyet e anulimit lidhen me “shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”

Në kohën kur u firmos hapja e tenderit, rrethana më e rëndësishme e paparashikueshme ishte që Bledi Çuci nuk do të ishte ministër për ta finalizuar kontratën. Por aksidentet ndodhin.

Taulant Balla, ministri i ri ka vendosur ta anulojë tenderin duke mos lejuar zhvillimin e tij ashtu si ishte parashikuar. Një veprim që ngre pikëpyetje të mëdha. A ishin pazaret e pambyllura, apo të mbyllura tjetërkund ato që çarmatosën Policinë e Shtetit?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *