14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Projektligji/ Qeveria do t’u taksojë fshatarëve kasollen e lopës

Qeveria do të taksojë kasollet e lopëve, stallat dhe dhe stanet që blegtorët përdorin për të mbajtur bagëtitë e tyre. Projektligji i ri për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, vecc banesave vë në regjim tatimor edhe njësitë e ndërtesave që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore-blegtorale.

Në nenin 3, ligji përkufizon si prona bujqësore dhe blegtorale çdo pasuri e paluajtshme, që shfrytëzohet apo është planifikuar të shfrytëzohet për qëllime bujqësore ose blegtorale, përfshirë, por duke mos u kufizuar te, arat, pemëtoret, vreshtat, ullishtat, kullotat, livadhet, stallat dhe pasuritë e paluajtshme që shfrytëzohen apo janë planifikuar të shfrytëzohen për veprimtari mbështetëse si, mbledhja, magazinimi dhe konservimi i mallrave bujqësore dhe blegtorale.

Madje regjimi tatimor mbi kasollet dhe stallat do të jetë më i ashpër se sa ai i banesave.  Sipas draftit, taksa e kasolles do të variojë nga 0.15 për qind e vlerës deri në 0.3 për qind e vlerës. Rrjedhimisht një fermer, i cili ka ngritur një stallë që kushton 500 mijë euro do të paguajë deri në 1500 euro taksë në vit për stallën.  

Vendosja e ndërtesave blegtorale nën taksim, në kohën kur Shqipëria po përballet me rënie drastike të numrit të bagëtive, pritet të dëmtojë edhe më shumë sektorin e blegtorisë.

Ndërkohë në të njëjtin ligj, qeveria është kujdesur që të ruajë përjashtimin fiskal të resorteve luksoze dhe hoteleve me 5 yje. Pra më draftin e ri, qeveria takson me taksë pasurie kasollet e lopëve, por jo hotelet dhe resorted luksoze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *