15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Pullat fiskale transferohen tek shtypshkronja e Letrave me Vlerë

Qeveria ka vendosur shtetëzimin përfundimar të shërbimit të pullave fiskale. Pas mosrinovimit të kontratës koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, qeveria ka ndërmarrë një hap tjetër duke ia transferuar shërbimin Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë.

Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave parashikon që duke nisur nga data 1 janar 2025, shoqëria “Shtyshkronja e Letrave me Vlerë” autorizohet që të bëjë prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, konform ligjit për akcizat.

Vendimi i qeverisë parashikon gjithashtu se Ministria e Financave i kalon pa pagesë shoqërisë të gjitha të dhënat dhe aktivet e marra në dorëzim nga koncesionari, raporton SCAN.

Ky ndryshim vjen si rrjedhojë e përfundimit në datë 31 dhjetor 2024 të kontratës së koncesionit me shoqërinë “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k, e cila ka prodhimin, shpërndarjen e monitorimin e pullave fiskale të akcizës.

Pullat fiskale janë letra me vlerë dhe monopol shtetëror dhe vendosen në produkte të tilla si cigaret dhe pijet alkoolike. Përpara dhënies me koncesion, nga viti 2008 deri në vitin 2012, prodhimi i tyre është kryer nga një shoqëri aksionare në pronësi të shtetit, e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Sa i përket procedurës së porositjes së pullave fiskale, ajo do të mbetet e njëjtë edhe pas datës 1 janar 2025, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do t’i paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *