4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rindërtimi që shtyn afatet çdo vit/ A do jetë 2026 fundi i pritjes të të prekurve nga tërmeti i vitit 2019?

Po bëhen pesë vite nga tërmeti i vitit 2019, por ende shumë familje janë në qiell të hapur. Megjithëse pati premtime fillestare dhe u alokuan fonde të konsiderueshme, keqmenaxhimi burokratik dhe mungesat financiare kanë penguar përparimin e programit. Autoritetet lokale, tani përgjegjëse për subvencionet e qirasë, përballen me vështirësi për të plotësuar nevojat, duke thelluar më tej mosbesimin e publikut.

Mangësitë e thella në proces dhe mungesa e transparencës, mbeten ende probleme të konsiderueshme. Vit pas viti buxheti ndryshon për ndërtimin e tyre, duke shtyrë kështu dhe përfundimin e këtij procesi. Kjo po ndodh dhe këtë vit. Me rishikimin e buxhetit, qeveria i ka dhënë 2 miliardë lekë të tjera procesit duke e çuar në 9 miliardë lekë në total buxhetin për rindërtimin këtë vit nga 7 miliardë në planifikuara fillimisht.

Sipas përllogaritjeve procesi madje nuk pritet të përmbyllet para vitit 2026. Për dy vitet e ardhshme nga buxheti i shtetit janë planifikuar të shkojnë 4 miliardë lekë të tjera duke e çuar në mbi 103 miliardë lekë fondin për rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019. Kjo shumë tejkalon përllogaritjet edhe Qeverisë së Shqipërisë për “rreth 1 miliardë euro nevoja”.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se nga fillimi i vitit e deri në fund të korrikut, nga buxheti i shtetit kanë dalë 4 miliardë lekë, kryesisht për rindërtimin e pallateve. Kjo shumë është sa 43.3 për qind e buxhetit total të këtij viti.

Sipas të dhënave që nga viti 2020 e deri më tani kanë dalë nga buxheti i shtetit rreth 94 miliardë lekë, apo gati 940 milionë euro për rindërtimin dhe pagesat e qirasë për ata që humbën banesat.

Shuma e lartë u detyrua të dalë nga buxheti i shtetit pasi një pjesë e mirë e fondeve të premtuara në “Konferencën e Donatorëve” nuk u arritën të merreshin.

Që nga nisja e procesit e deri tani rezulton të jenë rindërtuar në total 2 mijë e 250 banesa individuale dhe 4 mijë e 500 apartamente. Deri në fund të vitit planifikohet të përmbyllen punimet edhe në 105 pallate të tjera me shpresën që ky proces do të marrë fund deri në 2026.

Voxnews.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *