29 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Shakaja e kryeministrit me dyfishimin e të ardhurave për frymë

Klodian Tomorri

Tre javë më parë, kur çeli fushatën elektorale në Tiranë, kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste të ardhurat për frymë të të shqiptarëve u dyfishuan. “Në këto vite ne thuajse i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë të Shqipërisë, nga 3300 euro në 6400 euro,” deklaroi Edi Rama. Të njëjtën deklaratë, shefi i qeverisë e përsëriti edhe një ditë më parë në emisionin “Të Paekspozuarit” në televizionin MCN përballë Ylli Rakipit. E megjithatë shifra që thotë kryeministri, ka zero vlerë për matjen e mirëqenies së popullsisë.

Treguesi i të ardhurave për frymë që referon kryeministri ëshë e ardhura nominale për frymë ne euro. Me pak fjalë GDP nominale e Shqipërisë e konvertuar në euro me kursin aktual që pjestohet me numrin e popullsisë. Tani t’i marrim treguesit me radhë.

Në fund të vitit të kaluar GDP nominale e Shqipërisë ishte 2058 miliardë lekë. Në fund të vitit 2022 kursi i këmbimit të euros ishte 114.9 lekë. Nëse pjeston numrat rezulton se në fund të vitit të kaluar GDP e Shqipërisë me çmime korrente ishte 17.9 miliardë euro. Dhe nëse këtë numër e pjeston me shifrën e popullsisë prej 2.79 milionë vetësh merr treguesin 6400 euro për frymë. Kjo eshte shifra qe referon kryeministri. Por pse kjo shifër vlen zero në matjen e mirëqënies krahasuar me vitin 2013?

Arsyeja e parë është se ka brenda rritjen e çmimeve. Vitin e kaluar GDP nominale e Shqipërisë arriti në 2 mijë e 58 miliardë lekë nga 1 mijë e 889 miliardë lekë që ishte në fund të 2021. Nëse bën këtë llogari rezulton se rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 9 për qind. Por në të vërtetë rritja reale ishte 4.8 për qind, ose 2 herë më pak. Pjesa tjetër në fryrjen e shifrës së GDP-së nominale ishte inflacioni.

Për ta thënë shkurt, me treguesin që përdor kryeministri, të ardhurat për frymë të Shqipërisë mund t’i dyfishosh fare kollaj. Mjafton që të rrisësh me dy herë çmimin e çdo malli që prodhohet në Shqipëri, pa e rritur fare prodhimin dhe të ardhurat nominale për frymë të shqiptarëve do të dyfishohen. Por mirëqënia e tyre do të jetë rritur me zero. Prandaj kur ekonomistët duan të masin rritjen reale të mirëqënies nga një vit në tjetrin përdorin GDP me çmime konstante, që ne ndryshe e njohim si GDP reale, jo atë nominale.

Arsyeja e dytë se pse treguesi i përdorur nga kryeministri vlen zero është kursi i këmbimit. Në vitin 2013, një euro këmbehej me 139.5 lekë. Pra GDP nominale në lekë e asaj kohe pjestohej me 139.5 për të nxjerrë GDP në euro. Në fund të vitit të kaluar një euro këmbehej me 114.9 lekë. Pra GDP nominale e Shqipërisë pjestohet me 114.9 lekë për të nxjerrë të ardhurat për frymë në Euro. Vetëm nga zhvlerësimi i euros ndaj lekut, treguesi i të ardhurave për frymë që thotë kryeministri është rritur me 18 për qind. Me pak fjalë, nëse vitin tjetër euro shkon 122 lekë, të ardhurat për frymë që thotë kryeministri ulen automatikisht me 10 për qind dhe nga 6400 euro për frymë shkojnë në më pak se 5800 euro. Pra, as kjo nuk është rritje reale.

Tani ka një rregull shumë të thjeshtë që tregon se si një vend i dyfishon të ardhurat reale. Quhet rregulli i numrit 72. Ky rregull tregon se sa vite i duhen një vendi të dyfishojë ekonominë e tij me një normë të caktuar rritje. Formula është 72 pjestim për rritjen reale ekonomike.

Sipas INSTAT, nga viti 2014 deri në vitin 2022 ekonomia shqiptare është rritur mesatarisht me 3.06 për qind në vit në terma realë. Nëse pjeston 72 me 3.06 atëherë rezultati është 23.5 vjet. Pra me ritmet që kryeministri e ka rritur ekonominë gjatë qeverisjes së tij, Shqipërisë i duhen 23.5 vjet për të dyfishuar të ardhurat reale për fryme, me numrin e popullsisë të pandryshuar. Deri tani nuk ka arritur akoma në gjysmë të rrugës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *