21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Si i rrënoi qeveria fermerët vendas duke favorizuar importin

Klodian Tomorri

Ditën e fundit fermerët në disa rrethe të vendit kanë nisur protestat. Arsyeja e protestave është ulja e çmimit, me të cilat fabrikat e përpunimit e blejnë qumështin nga fermerët vendas nga 160 lekë në 120 lekë për litër.

Ulja e menjëhershme e çmimit mund të ketë edhe elementë të sjelljeve monopson nga fabrikat e përpunimit të qumështit. Për rekord, këto të fundit aktualisht janë edhe nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës për sjellje abuzive me pozitën dominuese.

Por arsyeja e rrënimit të prodhuesve të qumështit shkon përtej matrapazllëqeve të përpunuesve. Ajo gjendet tek politikat tatimore të qeverisë në sektorin e bujqësisë, të cilat janë shndërruar në antikombëtare.  

Në vitin 2019, qeveria shqiptare vendosi të ulë rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për qumështin e prodhuar nga fermerët vendas nga 20 për qind në 6 për qind. Kjo ishte goditja e parë që qeveria i dha prodhimit vendas të qumështit. Goditja e dytë erdhi tre vjet më vonë.

Në vitin 2022, qeveria vendosi që ta heqë fare rimbursimin e tvsh-së për qumështin vendas duke e ulur nga 6 për qind në zero. Masa u kundërshtua fuqishëm nga grupet e interesit, por fermerëve nuk ua vë njeri veshin. Por cilat janë pasojat e kësaj politikje?

Nëse një fabrikë përpunimi ble qumësht nga fermeri vendas me 100 lekë për litër, kostoja reale i shkon 120 lekë për shkak se duhet të paguajë dhe tvsh-në në shtet 20 lekë. Por kur qumështin e ble nga importi me 100 lekë, atëherë kostoja reale i mbetet sërish rreth 100 lekë sepse i kreditohet tvsh që paguan në doganë.

Rezultati? Fabrikave të përpunimit të qumështit u leverdis më shumë të importojnë qumësht nga importi se sa ta blejnë atë nga fermerët vendas. Dhe kjo ka ndodhur. Krahasuar me vitin 2018 importet e qumështit dhe bulmetrave thuajse janë dyfishuar në vlerë duke arritur gati në 60 milionë euro vitin e kaluar.   

Me pak fjalë, ky është ndër rastet e rralla në planet kur një qeveri e ndërton regjimin fiskal për të goditur prodhimin vendas. Skema e padrejtë e taksimit është arsyeja kryesore që ka rrënuar prodhimin vendas të qumështit. Por jo e vetmja.

Në vitin 2022, qeveria tentoi të taksojë qumështin pluhur të importit me 100 lekë për litër. Por taksa që u propozua në paketën fiskale nga ministria e Financave u rrëzua në Kuvend, pas lobimit të fabrikave të përpunimit të qumështit.

Kështu që Shqipëria importon qumësht pluhur dhe qumësht natyral pa taksa dhe takson rëndë qumështin e prodhuar nga fermerët vendas. Si pasojë qytetarët hanë djath me qumësht pluhur ose qumësht serb, ndërsa fermerët vendas kanë therur lopët dhe së fundmi po dalin rrugëve të protestojnë.

Por qeveritë, kur janë të papërgjegjshme nuk reflektojnë. Vetëm sa thellojnë marrëzinë. Një ditë më parë, ministrja e bujqësisë Anila Denaj takoi biznesmenët e fabrikave të qumështit duke u kërkuar të gjejnë gjuhën me fermerët. A thua se ky është një konflikt fjalësh si ato që ndodhin në Big Brother.

Fabrikat e përpunimit të qumështit do të vazhdojnë të blejnë qumësht nga importi për sa kohë paguajnë 20 për qind më pak taksë për të. Ndërsa fermerët shqiptarë do të vazhdojnë të therin lopët dhe të marrin rrugët e kurbetit, për sa kohe nuk do të mbledhin mendjen para se të shkojnë në kutinë e votimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *