14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Supertenderi i KESH/ 100 mln dollarë për naftën e anijeve të Vlorës

Blerja e karburantit që do të përdoret për të prodhuar energji nga dy anijet e instaluara në Vlorë do të kushtojë 100 milionë dollar. Korporata Elektroenergjetike ka shpallur në regjistrin e parashikimeve të APP-së supertenderin për “Blerje lëndë djegëse HFO për përdorim nga aseti gjenerues termik i përkohshëm.”

Sipas dokumentave të depozituara na Agjencinë e Prokurimeve Publike fondi limit i tenderit është përcaktuar 10 miliardë e 267 milionë lekë ose më shumë se 100 milionë dollarë me kursin aktual.

Thirrja për shprehjen e interesit për kompanitë që janë të furnizuar KESH me karburant u shpall që në janar. Sipas saj, KESH kërkon të blejë fillimisht 100 mijë tonë karburant, të llojit naftë e rëndë që do të përdoret për prodhimin e energjisë nga dy termocentralet lundruese

Burime nga KESH thanë për Oligarkia.al se në fazën e parë shprehën interes disa kompani, kryesisht të huaja dhe shumë shpejt pritet të kalohet në fazën e dytë, atë të hapjes së garës për blerjen e karburantit.

Kjo është procedura më e madhe e prokurimit që është regjistruar ndonjëherë në Shqipëri për blerje mallrash. Fillimisht KESH kishte parashikuar që tenderi të zhvillohej në muajin maj, por burime nga Korporata thonë se tenderi u shty për shkak sepse nuk është ende gati infrastruktura e ngarkim shkarkimit.

Dy tigrat

Verën e vitit të kaluar, gjatë kulmit të krizës energjetike, qeveria shqiptare autorizoi Korporatën Elektroenergjetike të kontraktonte dy termocentrale lundruese nga kompania amerikane Excelerate Energy. Sipas marrëveshjes, dy anijet me kapacitet të instaluar rreth 110 mega vat u pajtuan për një periudhë dy vjeçare. Në këmbim KESH i paguan kompanisë amerikane 63 mijë dollarë në ditë vetëm si qira, për përfshirë koston e mirëmbajtjes së mjeteve.

Tigri 1 dhe Tigri 3 mbërritën në Triport në shtator të vitit të kaluar. Edhe pse nuk kanë prodhuar asnjë ditë energji, që nga ajo kohë KESH i paguan konsorciumit Excelerate-Renco 63 mijë dollarë qira në ditë.

Kjo ka bërë që marrëveshja të hapë shumë polemika në Shqipëri. Opozita, por edhe ekspertë të pavarur e kanë cilësuar marrëveshjen si abuzive dhe të dëmshme për taksapaguesit, të cilët do të paguajnë rreth 68 milionë dollarë për periudhën dy vjeçare edhe nëse anijet nuk vihen asnjëherë në punë. Kjo pasi, energjia e prodhuar prej tyre del me kosto të lartë, veçanërisht tani që çmimet e energjisë ne treg janë rikthyer në nivele normale.

Por KESH thotë se anijet do të vihen në punë këtë verë. Sipas përllogaritjeve të Korporstës, kostoja e prodhimit të energjisë prej tyre llogaritet në 147 euro për mega duke përjashtuar karburantin nga taksa e akcizës. Kjo, kosto sipas korporatës edhe pse në dukje më e lartë se tregu i mundëson asaj të bëjë optimizimin e prodhimit të energjisë, veçanërisht gjatë muajve të verës, ku çmimet në treg rriten ndjeshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *