4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tatimet kërkojnë paratë e turistëve/ Kontroll të gjitha bizneseve të turizmit, nga hotelet tek transporti dhe makinat me qira

Qeveria do të bëjë një analizë të performancës së sektorit të turizmit, e cila do të synojë identifikimin dhe vlerësimin e risqeve, prioritizimi i tyre, përcaktimin e shkaqeve të mospajtueshmërisë në këtë fushë.

Referuar strategjisë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, në analizë, përpos tatimpaguesve që operojnë në “Akomodim/Shërbimi ushqimor” do të përfshihen edhe tatimpaguesit që operojnë në sektorin, shërbime plazhi, transporti qytetas e ndërqytetas, dhënia me qira e makinave/mjeteve ujore, shërbime turistike, etj.

Gjithashtu, në fokus do të jetë monitorimi i zbatimit të ligjit të ri “Për Turizmin” kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me regjistrimin pranë institucionit përgjegjës për sektorin e turizmit dhe ato që kanë të bëjnë me mënyrën e deklarimit të të ardhurave të këtij sektori.

Bashkërendimi i nismave me institucione të tjera të angazhuara në mbarëvajtjen e sektorit turistik, si Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), Bashkitë në zonat turistike, etj, do të jetë një tjetër fokus i administratës tatimore.

Bazuar në analizat e mësipërme, administrata tatimore do të hartojë plane sektoriale vjetore të dedikuar vetëm për sektorin e turizmit (struktura akomoduese, bar-restorante, agroturizëm, shërbime plazhi , transporti qytetas e ndërqytetës, dhënia me qira e makinave/ambienteve etj). Fokusi kryesor i tij do të jetë TVSh-ja, ndjekur nga tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat biznesore, si dhe problematikat që kanë të bëjnë me deklarimin e punonjësve.

Sipas dokumentit, burimet e të dhënave që gjenerohen tashmë në kohë reale nga sistemi i fiskalizimit, do përdoren për të evidentuar tatimpaguesit mospërmbushës si dhe përdorimi i çdo të dhëne nga palë të treta ose burime të jashtme publike (ëeb, media vizive e sociale etj) të cilat ndihmojnë administratën tatimore në realizimin e misionit të saj.
Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *