14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tatimet: Nuk e zbresim dot 30-për qindëshin që tani, por bizneset do ta përfitojnë kur të bëjnë rakordimin

Administrata Tatimore ka deklaruar se nuk mund të zbatojë që tani zbritjen e shpenzimeve apriori në masën 30 për qind për profesionistët e lirë, pasi sipas saj kjo është teknikisht e pamundur. Por sipas administratës, këto shpenzime do të njihen në mars të vitit tjetër, kur bizneset të bëjnë rakordimin midis tatim fitimit të parapaguar për vitin 2024 dhe atij që do të rezultojë si faktik.

Sqarimi i Tatimeve

Me qëllim parësor mirëinformimin e tatimpaguesve dhe të publikut të gjerë dhe për të ndaluar dezinformimin në media, Administrata Tatimore sqaron se përllogaritja e kësteve paraprake të Tatimit mbi të ardhurat për vitin 2024, për shërbimet profesionale, bëhet mbi % e fitimit të vetëdeklaruar gjatë vitit 2023.

Duke qenë se viti 2024 është viti i parë i zbatimit të ligjit të ri, këstet bazohen mbi deklarimin e fitimit të vitit 2023, deklarimi për të cilat kryhet sipas përcaktimeve të ligjit të vjetër për “Tatimin mbi të Ardhurat”.

Theksojmë se njohja apriori e shpenzimeve në masën 30% për tatimpaguesit, që ushtrojnë aktivitet si “Shërbim profesional”, e cila është opsionale, aplikohet sipas Ligjit të ri vetëm në deklarimin e fitimit të vitit 2024, i cili kryhet brenda datës 31 mars 2025. Kjo nuk do të thotë që në përllogaritjen e kësteve paraprake për vitin 2024, nuk janë njohur shpenzimet e kryera nga tatimpaguesit, përderisa përllogaritja bazohet mbi fitimin e vetëdeklaruar të vitit 2023 dhe fitimi llogaritet si rezultat i të ardhurave dhe shpenzimeve faktike të realizuara.

Nuk ekziston asnjë mundësi teknike që këstet paraprake të vitit 2024 të llogariten mbi fitimin e vitit 2024. Kështu që, sikurse e përcakton edhe Ligji këstet paraprake do të llogariten mbi fitimin e vitit paraardhës.

Këshillojmë çdo tatimpagues, që pretendon se kësti paraprak i vitit 2024 është shumë i lartë apo në rast keqdeklarimi nga ana e tyre, t’i drejtohet me kërkesë për rishikim të kësteve Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, e cila do të shqyrtojë me prioritet çdo kërkesë për këtë qëllim, për tatim të drejtë sipas ligjit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *