4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

5D e Durrësit/ Bomba e KLSH: Rajli Ndërtim dhe G.P.G morën tendera korruptivë në Bashkinë e Durrësit

Klodian Tomorri

Një ditë më parë Prokuroria e Durrësit arrestoi 5 punonjës të Bashkisë Rrogozhinë për abuzime me paratë e rindërtimit. Sipas prokurorisë, punonjësit kishin vjedhur paratë duke regjistruar stallat e derrave dhe kasollet e lopëve si banesa për t’u dëmshpërblyer.

Por hetimet e prokurorisë për fondet e rindërtimit në Rrogozhinë duken një shaka e madhe, pasi gropa e vërtetë e tyre është në Durrës.

Të dhënat e konsultuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pagesat e thesarit dhe sistemi i prokurimeve tregojnë se Bashkia e Durrësit prokuroi dhjetra milionë euro në shkelje të ligjit tek një grusht kompanish gjysmë fiktive me bazë në Durrës, duke ngritur një biznes gjigand abuzimesh mbi fatkeqësinë e tërmetit.

Një tango dyshe
Në datën 3 shkurt të vitit 2022, Bashkia e Durrësit zhvilloi një tender të mbyllur me vlerë 2.1 milionë euro për rikonstruksionin dhe riparimin e mjediseve të përbashkëta në disa pallate në zonën e Rashbullit. Fitues i tenderi u përzgjodh bashkimi i kompanive Rajli Ndërtim dhe G.P.G Company. Por inspektorët e KLSH thonë se dhënia e kontratës tek këto dy kompani ishte në shkelje të ligjit për shkak se Rajli Ndërtim nuk plotësonte kriteret dhe kompanitë nuk kishin përcaktuar përqindjet në marrëveshjen e bashkëpunimit.

“KVO duhet të kishte bërë propozimin tek titullari i AK për anulimin e procedurës dhe fillimin e një procedure të re. Ky mosveprim ka sjellë lidhjen e një kontrate me vlerë 206,840,255.6 lekë pa tvsh me një Operator Ekonomik, i cili është shpallur fitues në papajtueshmëri me legjislacionin e PP dhe ngarkon me përgjegjësi anëtarët e KVO-së,” thotë KLSH në raportin e auditimit.

Por gjetjet e KLSH janë më të rënda se kaq. Sipas audituesve, marrëveshja e ndarjes së punimeve mes dy kompanive në joint venture ka qenë fiktive dhe kjo nuk ishte e rastësishme.

Sipas marrëveshjes, Rajli Ndërtim pretendonte se kishte 17.28 për qind të punimeve, ndërsa G.P.G Company 82.72 për qind. Por KLSH thotë se kjo ndarje ishte bërë pa preventiv çmimesh me qëllim që të mbulonte paaftësinë e Rajlit për të përmbushur kriteret e veçanta. Po kështu sipas KLSH, kjo kompani nuk plotësonte as numrin e kërkuar të punonjësve për të fituar tenderin dhe në këtë tregues dyshohet se ka falsifikuar letrat në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit.

Operatori Ekonomik “Rajli Ndërim” ShPK ka paraqitur listëpagesën e muajit Dhjetor 2021 për 13 të punësuar. Pretendimi i Komisionit të Ofertave të Bashkisë Durrës se kompania ka dorëzuar listëpagesën për 13+15=28 punonjës është i pakuptimtë” thotë KLSH.

Por dyshimi më i madh se i gjithë tenderi ka qenë fiktiv është fakti se paratë e paguara nga Bashkia Durrës nuk janë ndarë 17.28 për qind tek Rajli dhe 82.72 për qind tek G.P.G. Paratë e këtij tenderi kanë shkuar të gjitha në llogarinë e Rajli Ndërtim, plot 2 milionë euro, çka ngre dyshime se G.P.G ishte thjesht një koperturë fiktive për të çuar paratë tek Rajli Ndërtim. Dhe në këmbim G.P.G mori një kontratë 4 milionë euro nga Emirjana Sako vetëm pak muaj më vonë.

Biznes vetëm me Bashkinë e Durrësit
Rajli Ndërtim është një kompani që zotërohet nga dy aksionere me bazë në Durrës. Në periudhën nga 1 janari 2019 deri në 31 dhjetor 2023, kjo kompani ka realizuar një xhiro totale prej 8.5 milionë eurosh. Të gjithë paratë kanë ardhur nga vetëm një burim. Ai është Bashkia e Durrësit.

Pjesa dërrmuese e këtyre parave kanë ardhur nga tendera me procedurë të mbyllur me justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme të tërmetit. Me të njëjtin justitik, këto dy kompania përlanë dy muaj më parë edhe 4.5 milionë euro të tjera. Në total G.P.G dhe Rajli kanë marrë 20 milionë euro nga Emirjana Sako. Të gjitha me tendera të mbyllur.

Rajli Ndërtim është një kompani nën ombrellën e drejtuesve lokalë të Partisë Socialiste dhe Bashkisë së Durrësit. Faktet për këtë janë publike. Ndaj hetimi i prokurorisë së Durrësit për kasollet e Rrogozhinës është shaka. Në Durrës, Bashkia ka bërë masakër me paratë e rindërtimit. Dhe Rajli është 5D e Durrësit, njësoj si kompania e famshme e Bashkisë së Tiranës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *