10 Maj, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

APP konfirmon zyrtarisht Kapitalin/ Tenderi i Portit të ri u anullua sepse nuk pati asnjë ofertë të përshtatshme

Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar zyrtarisht anullimin e tenderit 392 milionë euro për ndërtimin e Portit të Ri Tregtar në Porto Romano. Sipas APP në megatenender nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme.

Tenderi për Ndërtimin e Portit të Ri Tregtar të Integruar në Porto Romano u shpall në fund të muajit Korrik. Data e Zhvillimit të tij ishte përcaktuar 16 shtatori. Edhe pse në garë janë paraqitur disa oferta, Autoriteti Portual i Durrësit i ka skualifikuar të gjithë duke gjykuar se asnjëra prej tyre nuk përmbushte kushtet e kërkuara.

Kapitali ka mësuar se në garë ka marrë pjesë vetëm një kompani shqiptare. Salillari ka hyrë në joint venture me një kompani të huaj, por edhe kjo ofertë është gjykuar si e papërshtatshme.

Konsulencë e shtrenjtë hollandeze
Procesi i tenderimit të portit të ri në Porto Romano u udhëhoq nga kompania holandeze Royal Haskoning. Qeveria shqiptare përmes një kontratë të veçantë konsulence i dha kësaj kompanie atribute publike deri në përzgjedhjen e fituesit. Për këtë shërbim, qeveria i ka paguar 12 milionë euro kësaj kompanie, përmes Autoritetit Portual të Durrësit.

Kontrata kontroverse me hollandezës u nënshkrua falë ndryshimit enkas të ligjit të prokurimeve. Por edhe pse qeveria shkallmoi ligjin e prokurimeve, edhe pse i dha kompanisë 12 milionë euro, tenderi për ndërtimin e portit dështoi duke e detyruar Autoritetin Portual ta anullojë atë.

Qeverisë i humbën 15 kompanitë, për të cilat deklaronte me eufori se kishin shprehur interes dhe mezi po prisnin që të garonin. Dhe teksa porti ekzistues i Durrësit është duke u çmontuar gradualisht nga resorti i Muhamed Alabbarit, Shqipëria po rrezikon seriozisht të mbesë pa nyjen më të madhe dhe strategjike tregtare duke e çuar biznesin e porteve tek vendet fqinje konkurrente.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *