6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Banorët e lumit të Vlorës në protestë kundër ujësjellësit të Himarës

Banorët e fshatrave të lumit të Vlorës janë mbledhur këtë të shtunë në një tjetër protestë paqësore për të kundërshtuar projektin e ndërtimit të ujësjellësit të Himarës. Të zhvendosur këtë radhë më pranë Vlorës, në afërsi të fshatit Peshkëpi, ku kalon edhe lumi Shushicë, ata kanë kërkuar ndaljen dhe rishikimin e këtij projekti i cili sipas tyre devijon lumin Shushicë, duke pakësuar ujin në të dhe duke sjellë tharjen e tokave bujqësore.

Ata shprehen se uji i lumit për këto fshatra është vetë jeta, pasi me të lidhen të gjitha aktivitetet.

Banorët e fshatrave si dhe ambientalistët, i kërkuan kryeministrit Rama që ta rishikojë dhe ta ndalojë projektin që e cilësojnë masakër mjedisore. Nëse projekti nuk ndalon, ata thonë se do ta kundërshtojnë me të gjitha forcat. Banorët thonë se më këtë projekt synohet furnizimi me ujë të oligarkëve të Himarës, në kurriz tëtyre.

Në fshatin Kuç, në Buronjë, vendin se ku buron lumi Shushicë, është parashikuar të ndërtohet ujësjellësi i Himarës, nga ku pritet të merret uji, për të furnizuar fshatrat bregdetar të Himarës. Përsa i përket projektit, punimet kanë avancuar në më tepër se 50% të tyre.

Në fshatin Kuç të Vlorës po punohet prej 8 muajsh për shtrirjen e tubacioneve të ujësjellësit të Himarës, investim ky me vlerë 9. 5 milionë euro i Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe Bashkisë së Himarës. Projekti, sipas banorëve, është miratuar pa konsumtim publik, ç’ka nxitur dhe revoltën e banorëve që protestojnë për të disatën herë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *