5 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

BERZH akordon 2 mln euro për kreditimin e bizneseve të bujqësisë dhe turizmit

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) akordoi një kredi deri në 2 milionë euro për Union Bank, për të mbështetur financimin e sektorëve të agrobiznesit dhe turizmit. Ky investim do të synojë të nxisë kreditimin e mëtejshëm në dy sektorë të rëndësishëm, por të nënfinancuar në Shqipëri, që janë vendimtarë për zhvillimin e saj ekonomik.

Union Bank është institucioni i shtatë partner financiar në vend që i bashkohet Ndihmës së Mbështetjes së Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri, një instrument financiar i përshtatur në tregun shqiptar dhe i krijuar për të mbështetur bankat tregtare në ofrimin e më shumë kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorin e turizmit dhe bujqësisë. Ky do të jetë projekti i dytë i BERZH me Union Bank në më pak se dy muaj, pasi në fund të korrikut u nënshkrua një hua për të Rinjtë në Biznes – një tjetër lehtësi për të mbështetur SME-të.

Huaja do të plotësohet me fonde granti deri në 560,000 €, duke përfshirë një kontribut prej 460,000 € nga qeveria e Shqipërisë, nga të cilat 400,000 € janë në formën e mbulimit të rrezikut dhe 60,000 € janë stimuj investimi për nën- huamarrësit në sektorin e agrobiznesit. Pjesa e mbetur është një kontribut nga Bashkimi Evropian, që do të financojë grante të pjesshme të investimeve për nën-huamarrësit në sektorin e turizmit.

Union Bank do të përfitojë gjithashtu edhe nga një paketë asistence teknike që do të përfshijë ngritjen e kapaciteteve për të zhvilluar dhe tregtuar më shumë produkte financiare për kompanitë në të dy sektorët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *