21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Bezhani: Alqi Bllako më punësoi tek kompania e Zotos, si i siguroja informacionet

Në dosjen e SPAK të siguruar nga CNA është dëshmia e Vladimir Bezhani, në cilësinë e Këshilltarit të Jashtëm të Ministrit të Mjedisit, ka qenë ura lidhëse për procedurën e dhënies së koncesionit.

Ai ka dëshmuar se ka qenë Alqi Bllako që i ka propozuar këtë pozicion, duke i premtuar se nuk do të paguhej nga Ministria e Mjedisit, por do ta punësonte atë tek shoqëria e “Integrated Technology Services”, kompania e Klodian Zotos.

Bezhani tregon më tej se gjatë kohës që punonte si Këshilltar i jashtëm i Ministrit i siguronte informacione Klodian Zotos për të të gjithë procedurën e koncesionit.

“I pyetur në lidhje me komunikimet elektronike që ka patur me shtetasin Klodian Zoto, duke i siguruar atij dokumente dhe informacione, të cilat kanë shërbyer si të dhëna që janë përdorur për hartimin e studimit të fizibilitetit nga shoqëria propozuese e shtetasit Klodian Zoto, ai deklaron se këto dokumente i ka siguruar nga puna e tij në Ministrinë e Mjedisit dhe ia ka vendosur në dispozicion shtetasit Klodian Zoto, pasi gjatë kohës që punonte si Këshilltar i jashtëm i Ministrit, pa pagesë, ai ka qenë i punësuar edhe tek shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k”, pjesë nga dëshmia.

Dëshmia e plotë:

I pyetur për këtë fakt shtetasi Vladimir Bezhani, ka deklaruar se në vitin 2014 ka qenë i punësuar pranë Ministrisë së Mjedisit, me pozicionin “Përgjegjës Sektori i Menaxhimit të Mbetjeve”, me detyrë kryesisht në hartimin e politikave të menaxhimit të mbetjeve, si strategjia kombëtare e mjedisit, hartimin e legjislacionit në fushën e mbetjeve, dhe ndjekjen e projekteve në fushën e mbetjeve të financuara si nga buxheti i shtetit, ashtu edhe organizatat e huaja. Këtë detyrë e ka ushtruar deri në datën 07.11.2014, kohë, në të cilën ka dalë në pension. Pas kësaj date, ai deklaron se ka punuar në sektorin privat, konkretisht, specialist në shoqërinë “Integrated Technology Services” sh.p.k, me pronar shtetasin Klodian Zoto, me rrogë fikse neto, 80,000 (tetëdhjetë mijë) lekë, që kishte si detyrë për të zgjidhur problemet teknologjike.

Pranë kësaj shoqërie ka punuar deri nga fundi i vitit 2021. Ai deklaron se nuk ka pasur ndonjë zyrë tek kjo shoqëri, pasi për punën që bënte, përfaqësuesit e shoqërisë ia dërgonin nëpërmjet emal-it detyrat dhe projektet që duhet të punonte dhe pasi ai i përfundonte detyrat që i ishin ngarkuar, i dërgonte po nëpërmjet email- it, si edhe në raste të nevojshme ka shkuar vetë në zyrat e shoqërisë që ishin pranë “Sky Tower”.

Shtetasi Vladimir Bezhani deklaron se pranë shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, është marrë me këshillimin e publikut për të sqaruar mbi ndikimin në mjedis që do të kishte teknologjia e përdorur nga kjo shoqëri në mjedis. Ai deklaron se tek Inceneratori i Tiranës ka dhënë informacion në lidhje me sasinë e mbetjeve të qarkut, strukturën e mbetjeve të qarkut që do të trajtohej në këto impiante, si edhe për projektin e landfillit, të cilin e krahasonte me standartet që ishin vendosur nga Këshilli i Ministrave dhe standartet Europiane. Ai deklaron se këto informacione i kishte nga studime të mëparshme si JICA, studime nga Banka Botërore, studime nga KFË Gjermane, informacione të cilat i ka aksesuar, nëpërmjet internetit, si dhe nga puna e mëparshme në Ministrinë e Mjedisit, ku kishte pasur si detyrë ndjekjen e këtyre projekteve. Ai deklaron se teknologjia për incenerimin e mbetjeve në Inceneratorin e Tiranës, referuar projektit, ishte shumë e avancuar, por që nuk është realizuar deri më sot. Po ashtu, ai deklaron se në projektin e Inceneratorit të Tiranës ka pasur një linjë riciklimi automatike që kushtonte rreth 3,000,000 (tre milion) Euro, e cila nuk është vendosur, por në vend të kësaj linje është vendosur një linjë seleksionimi e zakonshme, që kushtonte më pak dhe që kërkonte seleksionim manual, linjë, e cila herë vendosej në punë dhe herë nuk vendosej. Ai deklaron se ka qenë Këshilltar i jashtëm i ish Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për periudhën nga momenti që ka dalë në pension, në vitin 2014 deri në momentin që shtetasi Lefter Koka është larguar si Ministër i Mjedisit.

Ai deklaron se duke qenë se për shkak të formimit të tij, ishte e nevojshme konsulenca për Ministrinë e Mjedisit, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedsit, shtetasi Alqi Bllako, i ka sugjeruar që të ishte Këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit, por duke qenë se nuk do të paguhej nga Ministria e Mjedisit, shtetasi Alqi Bllako i ka thënë që për të marrë pagën, do ta punësonte atë tek shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k, ku dhe është punësuar. Ai deklaron se gjatë periudhës kohore nga viti 2014 deri në vitin 2021 ka punuar tek shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k, nga viti 2014 deri në vitin 2017 nuk ka patur kontratë punë, ndërsa më vonë, pasi kishte përfunduar procedura e dhënies së Inceneratorit, ai ka lidhur kontratë formale pune me shoqërinë e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k. Ai deklaron se gjatë kohës që ka punuar si Këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedsit Alqi Bllako ka patur në përdorim edhe adresën e email-it zyrtar të Ministrisë së Mjedisit, “Vladimir.Bezhani@moe.gov.al”, adresë, të cilin e ka patur në përdorim që nga viti 2011 deri në vitin 2017, kohë që ka punuar në Ministrinë e Mjedisit. Ai deklaron se tek kjo adresë emaili ka patur akses vetëm ky shtetas dhe askush tjetër.

I pyetur në lidhje me komunikimet elektronike që ka patur me shtetasin Klodian Zoto, duke i siguruar atij dokumente dhe informacione, të cilat kanë shërbyer si të dhëna që janë përdorur për hartimin e studimit të fizibilitetit nga shoqëria propozuese e shtetasit Klodian Zoto, ai deklaron se këto dokumente i ka siguruar nga puna e tij në Ministrinë e Mjedisit dhe ia ka vendosur në dispozicion shtetasit Klodian Zoto, pasi gjatë kohës që punonte si Këshilltar i jashtëm i Ministrit, pa pagesë, ai ka qenë i punësuar edhe tek shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k.

I pyetur në lidhje me komunikimin elektronik me shtetasin Klodian Zoto, të datës 28.06.2016, shtetasi Vladimir Bezhani deklaron se email-in dhe shkresën që ka të bëjë me kthimin e përgjigjes pozitive, në drejtim të shtetasit Klodian Zoto, përsa i përket propozimit të pakërkuar të ardhur në Ministrinë e Mjedisit nga shoqëria propozuese, e ka konceptuar ai, pasi ka vënë në dijeni Ministrin Lefter Koka dhe Sekretarin e Përgjithshëm Alqi Bllako, se duhej t’i kthenin përgjigje pozitive shoqërisë propozuese të shtetasit Klodian Zoto.

Ai deklaron se e ka konceptuar këtë shkresë, por duke qene se nuk kishte të drejtë nënshkrimi, kjo shkresë është nënshkruar nga ish vartësja e tij, shtetasja Ledjana Karalliu, dhe më pas është nënshkruar sipas hierarkisë së shkresave, deri tek Sekretari i Përgjithshëm,Alqi Bllako dhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ai deklaron se kjo shkresë është konceptuar, pasi ai është udhëzuar nga Ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe Sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako. I pyetur për komunikimet që kanë rezultuar me shtetasin Klodian Zoto në lidhje ne sasitë e mbetjeve të depozituara në landfillin e Sharrës gjatë vitit 2015, ai deklaron se ia ka nisur këto të dhëna shtetasit Klodian Zoto, pasi i duheshin atij për të hartuar një studim Fizibiliteti dhe sqaron se shtetasi Klodian Zoto nuk kishte asnjë mundësi të hartonte një tudim fizibilitetit të tillë, por studimin e fizibilitetit të shtetasit Klodian Zoto e ka hartuar një kompani tjetër italiane, por që nuk ia kujton emrin, si dhe studimin e fizibilitetit, shtetasi Klodian Zoto e ka dorëzuar në një moment tjetër në Ministrinë e Mjedisit dhe jo në momentin kur ka dorëzuar letrën e interesit për propozimin e pakërkuar. Ai ka deklaruar se si shoqëria “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k, ishte shpallur fituese e koncesionit të inceneratorit të Tiranës, shtetasi Mirel Mërtiri i ka paraqitur të gjithë projektin e skicuar në letër, ndër të tjera ishte edhe impianti i riciklimit të mbetjeve, një teknologji shumë e përparuar. Ai deklaron se në dijeninë e tij shtetasi Klodian Zoto ishte pronari i shoqërisë Concesionare “Integrated Energy BV S.P.V.” sh.p.k.’- tha deklaruar Bezhani para hetuesve./CNA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *