14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

BIRN: Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK

Ola Xama

Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme tregon se projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë ishte një nismë e kryebashkiakut Erion Veliaj, e cila u kundërshtua nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Pas projektit qëndronin sërish Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Në janar të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i dërgoi një propozim qeverisë për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, PPP.

Përmes një shkrese të dërguar në adresë të ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, Veliaj e mbështet idenë në një studim fizibiliteti të hartuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, për PPP dhe një studim të Korporatës Ndërkombëtare Japoneze, JICA, për zgjerimin e venddepozitmit të mbetjeve në Sharrë.

“…kërkohet miratimi i Ministrisë së Financave për këtë nismë, e cila do të sigurojë një shërbim cilësor dhe sipas standardeve europiane për qytetarët dhe mjedisin në Tiranë,” thuhet në shkresën e kryebashkiakut Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj ka mohuar publikisht në të shkuarën se ka pasur rol aktiv në procedurat e koncesionit të mbetjeve në Tiranë, por dokumentet hetimore të Prokurorisë së Posaçme, të siguruara nga BIRN, tregojnë se Veliaj ishte nismëtari i këtij projekti dhe se propozimi i tij i hapi dritën jeshile koncesionit të inceneratorit të Tiranës.

Gjithsesi, propozimi i Veliajt u prit fillimisht me rrudhje vetullash në qeveri.

Hetimet e Prokurorisë tregojnë se fllimisht ministri Shkëlqim Cani dhe më pas Arben u bënë barrikadë ndaj propozimit të bashkisë së Tiranës, duke sjellë si rezultat përfshirjen e Ministrisë së Mjedisit në procedura. Bashkë me Ministrinë e Mjedisit, në projekt u përfshi edhe Klodian Zoto.

Veliaj nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Refuzimi i Ahmetajt

Shkëlqim Cani u largua nga detyra e ministrit të Financave në shkurt të vitit 2016 dhe u zëvendësua nga Arben Ahmetaj. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i dërgon shkresën me propozimin për ndërtimin me PPP të inceneratorit ministrit të ri.

Dosja hetimore zbulon se shkresa ka të njëjtën përmbajtje me atë të janarit, me shtesën e vetme ku thuhet se është dërguar edhe një studim fizibiliteti. Ahmetaj nuk e miraton propozimin pasi sipas tij: “mungon argumentimi nëse projekti i propozuar me PPP ka kosto më të lirë se në rastin se do të bëhej me prokurim publik me fondet e shtetit.”

Negociatat për miratimin e projektit i merr më pas në dorë .

Një email i datës 2 mars 2016, i sekuestruar nga prokuroria në komjuterin e Klodian Zotos tregon se një punonjës i Ministrisë së Mjedisit, Vladimir Bezhani, i kishte dërguar atij një dokument me titull “Bashkia Tiranë”.

Dokumenti është një shkresë e ish-ministrit të Mjedisit, drejtuar Erion Veliajt ku shpreh dakordësinë me propozimin e bashkisë së Tiranës dhe sugjeron ngritjen e një grupi pune të përbashkët.  Bezhani i drejtohet Zotos me fjalët: “Shikoje dhe më thuaj nëse je dakord.”

Ministria e Mjedisit dërgon sërish në Ministrinë e Financave një argument se pse varianti PPP do të ishte më i lirë sesa prokurimi me fondet e shtetit, por refuzohet sërish. Sipas , argumenti u shkrua nga Klodian Zoto.

Drejtorja e Përgjithsme e Buxhetit në Ministrinë e Financave, argumentoi se projekt-vendimi kishte karakter individual dhe si i tillë ishte jashtë fushës së përgjegjësisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit.” Të njëjtin argumentim në refuzim përdori dhe ministri Ahmetaj në përgjigjen që i dërgon Ministrisë së Mjedisit.

Ahmetaj refuzon disa herë të tjera dhënien e miratimit si ministri përgjegjëse për tavanet buxhetore dhe implikimet financiare të projekteve në partneritet publik- privat me argumentin se nuk është e qartë se kush do të bëjë pagesat, me çfarë fondesh do të bëhet shpronësimi i tokës për zgjerimin e landfillit dhe se norma e kthimit të përhershëm të investimit (IRR) është llogaritur gabim 5%, kur në fakt rezulton të jetë 8%.

Këtë shkresë, punonjësja e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma ia dërgon ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako shoqëruar me tekstin “Ufffffffff”. Shkresën e dërgon më pas në emailin personal të saj dhe ia dërgon Klodian Zotos.

Zoto i dërgon më pas një email Alba Thomës në janar 2017, ku shkruhet “Përgjigje përfundimtare MF nga MM”.

Kjo përgjigje e shkruar nga Zoto do të përdorej për t’u dërguar në Ministrinë e Financave nga Ministria e Mjedisit dhe sqaronte se mbështetjen buxhetore për impiantin ta mbante qeveria qëndrore, duke qënë se bashkitë në qarkun Tiranë nuk kishin mundësi të përballon kostot.

Ministria e Financave refuzon sërish dhënien e miratimit.

Pas kësaj ideje, ministri Koka i dërgon një letër tjetër Arben Ahmetajt, ku sqaron se shpenzimet për shpronësimin e tokës dhe pagesat për mbetjet që përpunohen do të përballohen nga vetë bashkia me fondet e transfertave të pakushtëzuara që bën buxheti.

Ahmetaj kërkon shkresën e miratimit me shkrim nga qarku Tiranë, sipas modelit financiar që kishte dërguar Ministria e Mjedisit. Më 27 mars 2017, Erion Veliaj i dërgon miratimin sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Ahmetaj refuzon ta miratojë derisa Ministria e Mjedisit ia dërgon me email shkresën e dhënies së miratimit nga Erion Veliaj. Ai më pas i hap rrugë procedurës duke u shprehur “pa komente”. Përgjigjja dërgohet 16 minuta më vonë nga Alba Thoma në adresën e emailit të Klodian Zotos.  Sipas hetimit të SPAK, “Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”.

Zoto dhe Mërtiri pas inceneratorit të Tiranës

Dokumentat hetimore të Prokurorisë së Posaçme sugjerojnë se e gjithë procedura për marrjen e koncesionit të inceneratorit të Tiranës është drejtuar dhe koordinuar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe se pas premtimit të marrë nga zyrtarët, ata kanë nisur kërkimet për gjetjen e kompanive “prestigjoze” në fushën e menaxhimit të mbetjeve.

Gjatë administrimit të materialeve të gjetura në kompjuterin e Klodian Zotos, hetuesit kanë hasur një dokument të krijuar në datën 15 qershor 2016 me autor Vladimir Bezhanin, punonjës i Ministrisë së Mjedisit. Bëhet fjalë për një letër në gjuhën angleze, që pasi e kishte punuar Bezhani, Zoto e kishte modifikuar.

“Letra iu drejtohej Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ku parashtrohej se shoqëritë Energy Recuperator S.p.a; Demare S.r.l; S.r.l; S.a dhe sh.p.k, të specializuara në ndërtimin e landfilleve, ndërtimin e ëve etj., paraqesin letër interesi për menaxhimin e integruar të mbetjeve të bashkisë Tiranë,” thuhet në dosje.

Dosja tregon se Zoto nuk hartoi vetëm letrën e interesit në emër të kompanive, por edhe kriteret që do të vendoseshin në garë, edhe pse oferta e pakërkuar kishte marrë pikë bonus. Në një email drejtuar Alba Thomës në prill 2017, Zoto shkruan: “Kam lënë disa komente, sepse duhet të plotësohen nga ju. S’kanë të bëjnë me kriteret.” Më pas Zoto angazhohet në gjetjen e kompanisë që do të mbushë kriteret e tenderit dhe ia dërgon miqve të tij të huaj.

Sipas SPAK, kompania koncesionare “Integrated Energy BV SPV ka ortak të vetëm kompaninë hollandeze “Integrated Energy BV” dhe në vitin 2017, drejtues kryesorë të saj ishin Klodian Zoto dhe Giuseppe Ciaffaglione, ky i fundit i shpallur në kërkim na drejtësia për aferën e inceneratorit të Fierit.

Oferta e kompanisë Integrated Energy BV SPV u klasifikua nga komisioni i Vlerësimit të Ofertave me 100 pikë nga 100 të mundshmet.

Dosja tregon rrugën se si Klodian Zoto dërgonte me email nenet e kontratës dhe përditësonte  ish-sekretarin e  Përgjithshëm, Alqi Bllako me vendime që merrte Këshilli Bashkiak Tiranë për kontratën.

Më 21 shtator 2017, në emailin e Zotos mbërrin një email me materiale nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

“Në brendësi ndodhej një shkresë – draft e Këshillit Bashkiak Tiranë, që autorizon kreun e bashkisë së Tiranës të firmosë angazhimet e njësive vendore të qarkut Tiranë konfrom kontratës së koncesionit të firmosur nga ministri i Mjedisit,” thuhet në dosje.

Burimi: Reporter.al

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *