30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Lojë si me koncesionin e pullave/ Qeveria po zgjat markimin me preteksin e arbitrazhit

Autoritetet shqiptare janë përfshirë në një ping pong të dyshimtë ligjor në lidhje me koncesionin e markimit. Vetë kompania koncesionare, Global Fluids Albania, në bilancin e saj të vitit të kaluar thotë se koncesioni i markimit ka përfunduar në shkurt të këtij viti. Por autoritetet heshtin. Nje situate paradoksi, pas te ciles po gatuhet nje skeme e mirefillte korrupsioni. 

Pak javë më parë, kompanitë e tregtimit të karburanteve iu drejtuan zyrtarisht me shkresë ministrisë së Financave si autoritet kontraktor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave si autoritet zbatues, të shprehen zyrtarisht se cili është afati i përfundimit të koncesionit të markimit. Drejtoria e Doganave u përgjigj po me shkresë zyrtare se këtë përgjigje duhet ta japë Ministria e Financave si autoritet kontraktor i koncesionit. Ndërsa Ministria e Financave nuk përgjigjet.  

Qytetarët shqiptarë po detyrohen të paguajnë në mënyrë të paligjshme, tarifën e markimit në çmimin final të karburanteve, teksa qeveria po bën gati letrat për të zgjatur edhe me 10 vjet të tjera konçesionin.

Burime konfidenciale i thanë Oligarkia.al se edhe në këtë rast do të përdoret preteksi i arbitrazhit, njësoj si me koncesionin e pullave fiskale, i cili u zgjat me dy vjet. Kompania koncesionare GFI pretendon se qeveria nuk i mundësoi asaj që të markonte naftën bruto, që prodhohet nga nëntoka shqiptare, ashtu sikurse parashikohej në kontratë.

Ky është dhe preteksti mbi të cilin po përgatiten letrat për zgjatjen e koncesionit. Ministria e Financave ka ngritur ne fshehtesi një grup pune, e cili do të propozojë zgjatjen me argumentin se kompanisë koncesionare nuk iu plotësua kushti i kontratës për markimin e naftës bruto.

Por e gjitha kjo është një sajesë e madhe. Teknikisht markimi i naftës bruto është i pamundur. Kjo ka qenë dhe arsyeja se pse kompania nuk ka arritur ta bëjë deri më sot dhe jo pengimi nga autoritetet shqiptare.

Zgjatja me 10 vjet të tjera e konçesionit të markimit vjen pasi vitin e kaluar kompania ndryshoi pronar duke u shitur nga Ismail Mulleti tek një shtetase turke afër biznesmenit Sinan Idrizi. Përmes këtij marifeti, qeveria po i jep kompanisë koncesionare një biznes të paktën 60 milionë euro në 10 vitet e ardhshme, që ka një normë fitimi deri në 70 për qind mbi xhiron. Ndërsa qytetarët shqiptarë do të paguajnë kostot, që qeveria të gostisë biznesmenët afër saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *