14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Blerja e pronave udhëheq investimet e huaja në Shqipëri

Blerja e pronave mbeti sërish zëri më i madh i investimeve të huaja në ekonominë shqiptare edhe në tremujorin e dytë të vitit. Banka e Shqipërisë raportoi se për periudhën Prill-Qershor, të huajt blenë 78.1 milionë euro prona në Shqipëri. Në vendin e dytë, sektori me fluksin më të madh të investimeve nga jashtë ishte industria nxjerrëse me 64.6 milionë euro.

Në total si gjashtëmujor këtë vit, të huajt kanë investuar 126.7 milionë euro në blerje pronash në Shqipëri.  Edhe pse krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, kjo shifër është 14.5 për qind më e ulët, sërish “aktivitetet e pasurive të paluajshtme” mbetet zëri më i madh i investimeve të huaja në Shqipëri.

Të dhënat historike nga Banka e Shqipërisë tregojnë se investimet e të huajve për blerjen e pronave në Shqipëri filluan të rriteshin veçanërisht pa pandemisë. Në gjysmën e parë të vitit 2021 të huajt investuan rreth 80 milionë euro për blerje pronash në Shqipëri, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 shifra kërceu në 148.1 milionë euro.

Orientimi i investimeve të huaja drejt sektorëve të patregtueshëm është një dobësi e madhe strukturore e ekonomisë shqiptare. Modeli kaotik i zhvillimit ekonomik të vendit që po udhëhiqet nga sektori i ndërtimit po dikton edhe trendin e investimeve të huaja.

Ndonëse rritja e blerjeve të pronave nga jashtë sjell përfitime për bizneset e ndërtimit, ekonomia kombëtare nuk përfiton asgjë. Përkundrazi, ajo përballet me keqorientimin e kapitalit.

Në vend që investimet e huaja të orientoheshin drejt ndërtimit të fabrikave apo aktiviteteve të tjera që gjenerojnë punësim, eksporte dhe rrisin potencialin prodhues të ekonomisë, ato shkojnë në sektorët e patregtueshëm, të cilët nuk krijojnë as punësim, por as gjenerojnë eksporte dhe aktivitet ekonomik.

Madje, për disa ekspertë kjo tendencë është shqetësuese pasi bën presion të mëtejshëm për betonizimin e vendit, veçanërisht zonave bregdetare dhe kryeqytetit ku dhe janë përqëndruar investimet më të mëdha të pasurive të paluajtshme.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *