Gjok Vuksani, drejtues i Departamentit të Bujqësisë në PD
1. Viti 2023 filloi me deklaratën tragjiko-komike të Ministres së Bujqësisë Krifca se: kemi mbjellë tepër ullinj dhe prandaj kemi mbi prodhim të vajit të ullirit .
Mbi bazën e kësaj filozofie që fajin e kanë fermerët dhe qeveria e PD që kanë mbjellë shumë ullinj nuk u mor asnjë masë për rritjen e kapaciteteve për ruajtjen dhe tregtimin e vajit të ullirit dhe për pasojë fermerët e shitën nën kosto me një çmim 250-350 lekë /litër.
2. Në muajin mars u miratuan skemat mbështetëse për fermerët, ku fondet e akorduara nga buxheti i shtetit ishin 36 % më pak se fondi i dhënë gjatë vitit 2022 gjithashtu u reduktua dhe numri i skemave mbështetëse. U hoqën pa asnjë studim paraprak skema e mbështetjes për ndërtimin e serave diellore, u eliminua në mënyrë absurde skema për mbështetjen e bimëve mjekësore, mbështetja për automatizimin dhe digjitalizimin e proceseve të punës, në kundërshtim me politikat evropiane të CAP etj. Nuk u parashikua asnjë mbështetje për kreditimin e bujqësisë apo të siguracioneve në rast të dëmtimeve të prodhimit bujqësor nga fatkeqësitë natyrore.
3-Në prag të sezonit turistik u zbulua nga emisioni “Alert” gjendja alarmante me mbetjet e antibiotikëve dhe pesticideve mbi normat e lejuara të këtyre substancave shumë të rrezikshme për shëndetin, pasi shkaktojnë nga deformimi i fetusit deri tek sëmundjet kancerogjene me pasojë vdekjen. Rezultatet e analizave për vezët dëshmojnë se 9.6 % e tyre kanë pasur mbetje antibiotikësh mbi normat maksimale të lejuara. Pas analizimit të mjaltit ka rezultuar se rreth 11% e mostrave kanë mbetje antibiotikësh mbi normat maksimale të lejuara nga legjislacioni shqiptar. Ndërsa për monitorimin e mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime, në rang kombëtar, 11.5% e mostrave kanë rezultuar me mbetje pesticidesh mbi normat maksimale të lejuara. Pra, 1 në 10 FRUTA apo PERIME që konsumojnë çdo ditë shqiptarët, rezultojnë me mbetje pesticidesh të rrezikshme për shëndetin.
4-Në korrik të këtij viti, Komisioni Europian pezulloi fondet IPARD për Shqipërinë si pasojë e 71 rasteve të dyshuara për parregullsi dhe mashtrim të konstatuara nga investigimi 3-vjeçar i OLAF. Shkeljet e konstatuara ishin serioze dhe mjaft të rënda si “Krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuara në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false etj.
KE shprehet qartë se është pezulluar pagesa për tre-mujorin e pare dhe te dytë të 2023, por edhe pagesat në vazhdim, madje nëse nuk merren masa të menjëhershme mund të plotësohen kushtet e Marrëveshjes së Përbashkët për të pezullojë plotësisht pagesat për Përfituesin IPARD II. Madje Komisoni Europian ka pezulluar procedurat dhe miratimin për të gjitha masat IPARD III të një fondi prej 146 milionë euro që do injektoheshin në bujqësinë shqiptare.
5-Në verë, fermerët megjithëse të nxitur nga shteti për të mbjellë grurë dështuan në tregtimin e prodhimit të tyre,pasi çmimi i shitjes ishte 50% më i lirë se një vit më parë, gjë që shkaktoi një humbje të madhe financiare.Në këto kushte, fermeri shqiptar u la totalisht në baltë nga qeveria, e cila e inkurajoi për prodhimin e grurit, por nuk e ndihmoi aspak për ruajtjen, grumbullimin dhe gjetjen e tregut.
6-Në tetor është përgatitur ligji për taksën e tokës bujqësore, i cili parashikon që për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore – blegtorale, shkalla e taksës do të variojë nga 0,1% deri në 0,3%. Detyrimet për tokën bujqësore për bashki të ndryshme do të rriten nga 25 deri në 78% nga sa paguhet aktualisht.
7-Buxheti i bujqësisë për 2024 është reduktuar ndjeshëm, 18 milionë euro më pak se ai i vitit të kaluar ose 11.6% më pak se buxheti për 2023. Ulja e buxhetit reflektohet ndjeshëm veçanërisht në dy zëra investimesh:
a) Investime të brendshme janë programuar vetëm 26.9 milionë euro ose 10.8 % më pak se në vitin e kaluar.
b) Investimet e huaja janë programuar 28.6 milionë ose 18 % më pak investime se në vitin 2023.
Programi i Zhvillimit Rural ka pësuar uljen më të madhe në buxhetin e vitit 2024 me 30 % më pak krahasuar me vitin 2023.
SKEMA e MBESHTETJES KOMBETARE për bujqësinë, për vitin 2024 është programuar në shumën rreth 21 milionë euro ose 45.3 % më pak se viti i kaluar.
Janë parashikuar edhe rreth 22 milionë euro nga IPARD, por në fakt janë të pamundura të injektohen në bujqësinë shqiptare si pasojë e pezullimit të tyre pikërisht si rezultat i keqmenaxhimit të strukturave të Ministrisë së Bujqësisë.
8-Fundviti, blegtoria është në kolaps, numri i krerëve në të gjitha kategoritë e bagëtive të qumështit shënoi rënie krahasuar me vitin e kaluar: gjedhi me gati 12%, delet me 2.7% dhe dhitë me 6%. Reduktimin më të madh të numrit të gjedhit e kishte qarku Fier me 36%, kjo shifër bëhet dhe më domethënëse,kur bëhet fjalë për qarkun me numrin më të madh të komplekseve moderne.
Me gjithë këtë gjendje katastrofike të blegtorisë, qeveria aplikon parimin komunist duke ju dhënë nga “një thërrime për të gjithë” fermerët morën nga 6 mijë lekë për krerë lopë nga 10 mijë lekë që morën një vit më parë, duke premtuar pagesat të mëvonshme të vlerës së mbetur. Bazuar në një nen të udhëzimit që n.q.s fondi në një skemë mbështetëse nuk është i mjaftueshëm për të gjithë aplikuesit ky fond do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë. Pastaj Ministria e Bujqësisë deklaron me krenari se janë mbështetur me mijëra fermerë të cilët nuk kanë marrë sasinë e plotë për krerë apo sipërfaqe, por ndarjen egaliste mbi bazën e fondit të pakët.
9-Në dhjetor INSTAT deklaroi se sektori i bujqësisë në tremujorin e tretë të vitit 2023 ka shënuar një rënie me -0.4%, ose e thënë ndryshe performanca më e dobët e realizuar në vitet e fundit. Por lajmi më i keq është se bujqësia ku punësohen rreth 45% e shqiptarëve në shtatë tre-mujorët e fundit ka një rritje afër zeros, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për ndryshimin e kësaj situate.