14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Fitimet rekord të biznesit fryjnë arkën e qeverisë

Të ardhurat e qeverisë u rritën me 145 milionë euro në tremujorin e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të udhëhequra kryesisht nga dy zëra, tatim fitimi që paguajnë bizneset dhe ndihmat që buxheti merr nga jashtë. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën janar mars qeveria arkëtoi 1.39 miliardë euro të ardhura nga taksat dhe burimet e tjera nga 1.24 miliardë euro që ishte shifra në tremujorin e parë vjet.

Në terma relativë të ardhurat për tremujorin janë rritur me 11.2 për qind krahasuar me vjet, një ritëm ky gati dy herë më i lartë se inflacioni, norma mesatare e të cilit për tre muajt e parë ishte 6.5 për qind.

Bum fitimesh

Të dhënat e detajuara tregojnë se arka e qeverisë këtë vit po përfiton nga fitimet e larta të bizneseve. Sipas Ministrisë së Financave, për periudhën janar-mars bizneset paguan 193 milionë euro tatim mbi fitimin ose 66 milionë euro më shumë se tremujori i parë i vitit të kaluar.

Marsi është muaji i fundit në të cilin bizneset rakordojnë detyrimet e tatim fitimit të vitit të kaluar. Rritja me 52 për qind e të ardhurave që qeveria ka mbledhur nga kjo taksë, tregon se 2022 ka qenë një vit i artë për fitimet e bizneseve në Shqipëri, ndonëse mbetet ende për t’u parë nëse është një rritje me bazë të gjerë apo e përqëndruar në një pakicë biznesesh.

Të dhënat historike tregojnë se të ardhurat e mbledhura nga tatim fitimi prekj 193 milionë eurosh për këtë tremujor përbëjnë një rekord absolut, kur mesatarja e katër viteve të mëparshme ka qenë 100 milionë euro.

TVSH me ecuri të dobët

Zëri i dytë me rritje të ndjeshme është financimet që qeveria përfiton nga ndihmat e donatorëve. Sipas Financave në tremujorin e parë, qeveria mori 60 milionë euro ndihma nga jashtë, pjesa dërrmuese si grantë për mbështetje buxhetore nga Bashkimi Europian. Vitin e kaluar për të njëjtën periudhë ndihmat në buxhet ishin vetën 15 milionë euro ose 4 herë më pak.

Por ndryshe nga pritshmëritë, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar kanë një ecuri të dobët. Sipas të dhënave, në tre muajt e parë të ardhurat bruto nga TVSH u rritën vetëm me 2.5 për qind krahasuar me janar-marsin e vitit të kaluar, një ritëm ky gati 2.5 herë më i ulët edhe se sa rritja e çmimeve.

Tatimi mbi vlerën e shtuar është një taksë ad valorem, e cila rritet proporcionalisht me rritjen e çmimeve. Nënperformanca e TVSH-së sinjalizon për ndrydhje të konsumit ndonëse administrata fiskale e justifikon ecurinë e dobët me rënien e importeve të energjisë, që vitin e kaluar ishin në nivele rekord.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *