15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Hungarezët thyejnë me forcë biznesin e tenderave OSHEE-Albital Canon

Një kompani hungareze, pjesë e grupit 4IG ka thyer me forcë monopolin e tenderave të Albital Canon në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë. Bëhet fjalë për tenderin 1 milionë euro për sigurinë kibernetike mbi infrastrukturën dhe platformat teknologjike të OSHEE.

Edhe në këtë procedurë, OSHEE shpalli sërish fitues kompaninë e saj të preferuar Albital Canon, por grupi hungarez ka arritur të përmbysë vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik.

Tenderi për sigurinë kibernetike të OSHEE me fond limit 106 milionë lekë u shpall në janar të këtij viti. Në të morën pjesë 5 kompani, por vetëm dy prej tyre paraqitën ofertë financiare. Sipas dokumentave, oferta më e ulët ishte pikërisht ajo e bashkimit të kompanive hugareze, 4IG PLC dhe Invitech ICT Services me vlerë 935 mijë euro.

Por OSHEE e skualifikoi këtë ofertë duke shpallur fituese të preferuarën e saj Albital Canon, e cila kishte një ofertë mbi 70 mijë euro më të shtrenjtë se grupi hungarez. Por pas shpalljes së vlerësimit, dy kompanitë hungareze e kanë ankimuar vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili ka gjetur se skualifikimi i tyre nga OSHEE është kryer në shkelje të ligjit.

KPP ka vendosur të pranojë ankesën e 4IG duke urdhëruar OSHEE-në të përmbysë vlerësimin dhe të kualifikojë ofertën e kompanive hungareze.

Monopoli i Albital Canon
Albital-Canon është dominuesja absolute e tenderave të OSHEE-së në sektorin e Teknologjisë së Informacionit. Të dhënat zyrtare nga thesari i shtetit tregojnë kjo kompani ka përfituar mbi 16 milionë euro tendera nga OSHEE duke marrë thuajse çdo kontratë në këtë institucion që nga vitit 2018 e këtej për shërbimet e IT-së. Herë vetëm, ndërsa në raste të tjera në bashkëpunim me ATOM dhe S & T Albania.

Grafiku më poshtë tregon të gjitha tenderat e OSHEE në sektorin e IT-së nga viti 2018 deri më sot të fituara në bashkëpunim nga këto kompani. Pjesa dërrmuese e tenderave fitohen thuajse në kokë, në intervale që luhaten nga 97 deri në 99 për qind të fondit limit. E gjitha është një skenë e dyshimtë korrupsioni.

Mjafton vetëm një vështrim i shpejtë i të gjitha tenderave të IT-së që kryen OSHEE për të kuptuar se të gjitha janë fiktive dhe pa garë duke u fituar në pjesën dërrmuese në kokë të fondit limit nga Albital Canon dhe partnerët e saj ATOM dhe S&T.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *