22 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Intervista e Ahmetajt; “alter egoja” ose vetja tjetër e udhëheqësit kundër udhëheqësit!

Irena Beqiraj

Intervista e ish njeriut më të rëndësishëm të qeverisë pas kryeministrit që sipas përcaktimit të bërë nga vetë kreu i qeverisë ka qenë edhe bashkëpuntori më i ngushtë i tij në këto 10 vite qeverisjeje, është vlerësuar dhe komentuar në mënyra të ndryshme.

Nga disa u konsiderua si hakmarrje , nga shumë tjerë si “mbrojtje duke sulmuar”, nga ca si një lëvizje taktike për t’u mos ekstraduar. Për disa ai tha shumë, për të tjerë asgjë.

Ndërsa në këndvështrimin e një njeriu si unë që për disa kohë u përpoq të navigonte edhe “të mbijetonte” profesionalisht afër tyre, ajo intervistë mund të përkufizohet si “alter egoja” ose “vetja tjetër” e Udhëheqësit kundër Udhëheqësit!

Napoleoni dikur thoshte “A Leader is a Dealer in Hope” ose “Udhëheqësi është ai që shet shpresë”. Fjalët “udhëheqësi” dhe “tregëtari” që në anglisht janë “Leader edhe Dealer” përmbajnë të njëjtat shkronja, por në qeverisje dhe politikë ato mund të jenë imazhe që shumë lehtësisht zëvendesojnë njëri-tjetrin dhe fare lehtë mund të konsiderohen si “alter ego” të njëra-tjetrës. Thënë ndryshe “vetja tjetër”.

Që një udhëheqës të drejtojë të tjerët duke e shndërruar shpresën në “ngjitëse” ose duke e kthyer atë në një fenomen masiv, ai duhet pikë së pari të negociojë drejtësisht me aftësitë e veta, kufizimet, sakrificat, pasiguritë, edhe ambiciet e tij.

Kur nuk arrin të negociojë edhe të pranojë veten, udhëheqësi për pushtet negocion me gjithçka tjetër rreth tij, deri sa mbërrin që “vetja tjetër” e tij bëhet “tregetari pa skrupuj”.

Për “tregtarin pa skupuj” gjithçka është një mall, duke filluar nga njerëzit, qëndrimet, marrëdhëniet, premtimet, ëndërrat, aspiratat e deri tek Atdheu.

Ai shet premtime të zbrazta për t’i siguruar vetes një angazhim; shet frikë për t’i siguruar vetes siguri; shet ëndërra të rreme për të siguruar atë që ai aspiron ose dëshiron.

Ai shet çdo njeri të aftë për të blerë “skllevër të bindur”; shet favore për të siguruar besnikëri; shet interesa publike tek pronarët e mediave, duke blerë emisione televizive poshtëruese për të “pabindurit ndaj tij”. Ai shet lehtësisht pa asnjë procedurë detin, tokën, ajrin tek lobistë, investitorë vendas e ndërkombëtarë apo tek kushdo tjetër që i siguron mbrojtje për interesat e tij.

Që imazhi i udhëheqësit të paraqitet i pacënuar në publik, vetja tjetër e tij “pra tregëtari” projektohet tek një grup i vogël njerëzish të rrethit të tij të ngushtë.

Sot që arrij të gjykoj qetësisht, pa emocion e larg çdo marrëdhënie subjektive personale njërzit në rrethin më të ngushtë të Kryeministrit nuk janë e nuk kanë qenë gjë tjetër, veçse alterego të njëri-tjetrit. Edhe me pak vëmendje e kupton që në çdo qëndrim, veprim a fjalë, rrezatonin edhe rrezatojnë, cilësitë e qendrës së atij rrethi, të Kryeministrit!

Ndaj, në atë intervistë televizive nuk foli thjeshtë “një bashkëpuntor dosido”, por i zgjedhuri i Kryeministrit ku ai pa të projektuar në 10 vite alteregon e tij. Nuk ishte Ahmetaj kundër Ramës, por vetja tjetër e Ramës e cila akuzoi Ramën publikisht.

Në përpjekje “për të larë duart” apo për t’u distancuar nga “Vetja tjetër” me shpresën se heshtja do t’i shërbejë relativizimit të akuzave, Kryeministri po zgjat agoninë e kapitullit te tij dhe të ndarjes më të padenjë nga pushteti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *