5 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Investitorët Strategjikë dhe noterët socialistë!

Jorida Tabaku

Disa muaj më parë mazhoranca socialiste votoi kundër propozimin ligjor që depozitova në kuvendin e Shqipërisë në Dhjetor 2022 për të pezulluar Ligjin e Investimeve Strategjike. Ndërsa në ditët e para të këtij viti të ri mësuam se mazhoranca socialiste po përgatitet që të shtyjë edhe më shumë afatin e Ligjit të Investimeve Strategjike, duke shtuar një tjetër peshqesh për shqiptarët.

Ironikisht, parlamenti do të shqyrtojë një propozim deputeti të mazhorancës për të shtyrë Ligjin e Investimeve Strategjike. Nëse propozimi im, që u rrëzua nga mazhoranca, kishte në thelb zhbërjen e një Ligji që jo vetëm ishte i qepur për inteteresat e një klientele të vogël por njëkohësisht nuk ofronte asnjë vlerë të shtuar për ekonominë dhe investimet e huaja.

Në të kundërt propozimi socialist e ka të shkruar në ballë se çfarë synon të arrijë përmes shtyrjes së periudhës kohore të zbatimit të ligjit. Mjafton të shohim “punën dhe eficencën” që ka pasur Ligji Investitorëve strategjikë për të kuptuar se kujt i duhet dhe përse po shtyhet zbatimi i tij.

Kur mazhoranca rrëzoi propozimin tim, në korrikun 2023, dha justifikimin se “Ligji do të përfundojë në fund të 2023 ndaj nuk ka arsye ta pezullojmë tani”. E vërteta është ndryshe. Sjellja e mazhorancës na lë të kuptojmë se ajo jo vetëm që nuk ka ndërmend t’i japë fund zbatimit në kohë të ligjit, por duket se ka krijuar një varësi të tillë saqë do ta shndërrojë në normalitet atë.

Dhe normaliteti nuk është një eufemizëm i imi, por një realitet që shqiptarët e kanë prekur që prej vitit 2015 kur me shumë pompozitet u miratua në parlament. Asokohe në emër të opozitës propozova dy amendamente që u kundërshtuan dhe rrëzuan nga mazhoranca socialiste. Që me vullnetin dhe entuziazmin me të cilin miratoi ligjin në 2015, ia zgjati dy herë me radhë jetën në 2018 me dy vjet dhe në 2021 me dy vite të tjera. Dhe si për të përmbushur profecinë se socializmi i tyre nuk do zbehej nëse ia zgjasnin për të tretën herë, kanë vendosur të hidhen në sulm për të mbrojtur normalitetin socialist të këtij ligji.

Cili është normaliteti socialist?
Nga lista e gjatë e përfituesve mund të shihje investitorë të huaj më pak se gishtat e një dore, të gjithë përfituesit ishin e janë të dyshuarit e përhershëm. Përfituesit e zakonshëm që marrin tendera, PPP dhe koncesione, persona nën hetim për lidhje me krimin e organizuar apo deri dhe tek oligarkë rusë të shpallur nongrata në SHBA. Këto janë investitorët strategjikë që pasurohen nga kompanitë guaska që fshehin investitorët e vërtetë.

Një ligj që nuk njeh e promovon garën, as konkurencën por ngushton tregun e mundesitë e tregut me ato që kanë akses tek pushteti.
Ky normalitet socialist ka prodhuar njëkohësisht edhe një normë të re që lidhet me investimet strategjike. E ashtuquajtura, norma socialiste e investimit strategjik. Për ta përmbushur këtë normë duhet të kesh disa kritere që përcaktohen nga Këshilli Investimeve Strategjike; ku siç edhe dihet preferohen personat me lidhje të ngushtë politike me qeverinë, mundësisht vetëm shqiptarë me kompani offshore dhe pse jo edhe persona me lidhje me grupe kriminale brenda vendit. Nëse investitori qëllon që të ndihmojë qeverinë në zgjedhje elektorale, atij i shënohet një plus i madh dhe është preferencial në përzgjedhjen në fjalë.

Të gjitha raportet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria ka nevojë për investime serioze dhe të mira në fushën e ekonomisë. Që qeveria duhet të ndryshojë vizionin ekonomik duke i dhënë zë investimeve reale strategjike, për politika reale fiskale dhe ekonomike që promovojnë meritokracinë dhe konkurencën. Mazhoranca socialiste mendon se Shqipëria mund të përparojë vetëm përmes shtyrjes së Ligjit të Investimeve Strategjike.

Më kot, pritet të ndryshojnë pikërisht ideatorët e një sistemi parlamentar që është kthyer në noterin “Aferim” të dëshirave strategjike të një pakice.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *