14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

KESH hap tenderin 7.5 mln euro për ndërtimin e centralit fotovoltaik në Vaun e Dejës

Korporata Elektroenergjike Shqiptare hapi tenderin 7.5 milionë euro për të përzgjedhur kompaninë që do të ndërtojë impiantin fotovoltaik në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Sipas programit, impianti do të ketë një kapacitet të instaluar prej 8.25 MW.

“Zona ku planifikohet të instalohet impianti fotovoltaik është në digën e Zadejës, HEC Vau i Dejës,” thuhet në dokumentat e shpalljes së tenderit. Sipas thirrjes, kontraktori privat do të realizojë studimin e fizibilitetit, ndërtimin e impantit, komisionimin e tij si dhe mirëmbajtjen për një periudhë 2 vjeçare.

Ky është impanti i dytë fotovoltaik që KESH kërkon të ndërtojë në digat e hidrocentraleve publike. Impanti i parë u ndërtua po në hidrocentralin e Vaut të Dejës, përkatësisht në digën e Qyrsaqit. Ai kishte një kapacitet të instaluar 64.8 kW dhe përfundoi së ndërtuari në shkurt të vitit 2022.

KESH thotë se ka në plan të ndërtojë edhe një tjetër impiant diellor në këtë hidrocentral, që do të ketë një fuqi të instaluar rreth 10 MW.  Ndërtimi i centraleve fotovoltaike është pjesë e strategjisë së KESH për të diversifikuar prodhimin e energjisë elektrike edhe me burime të tjera, veç ujit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *